Qarqet gazetareske dhe ato politike përparimtare në Greqi kanë reaguar ashpër në dy ditët e fundit duke iu kundërpërgjigjur vendimit të organeve të rendit për dëbimin nga vendi të gazetarit shqiptar Niko Ago, i cili për më shumë se 20 vjet jeton e punon në shtetin grek.

Gazetari shqiptar, emri i të cilit është tepër i njohur në Greqi, është lajmëruar papritur se duhet të braktisë vendin pas 30 ditësh sepse përgjatë periudhës 2007-2008, gjatë së cilës kishte një problem tepër serioz shëndeti dhe nuk mund të punonte, kishte mbledhur vetëm 50 nga 250 pulla të sigurimeve shëndetësore, të cilat janë të domosdoshme për të nxjerrë lejen e qëndrimit në vend.

Ago, megjithë problemin tepër serioz që përballon jo për faj të tij, me një shkrim kuptimplotë të titulluar “Faleminderit Greqi”, ka marrë një përkrahje të madhe sidomos në rrjetet sociale. Për dy ditë deri në pasditen e së dielës më shumë se 9700 persona ishin bërë anëtarë të grupit “Mbështesim Niko Agon” në Facebook.

Ai vetë e përballon situatën me shumë gjakftohtesi, ndërsa shqetësimi më i madh për të janë dy vajzat e tij 18 dhe 17 vjeç, të cilat nuk mund të marrin dot nënshtesinë pas këtij zhvillimi. Gazetari shqiptar që punon prej shumë vitesh pranë gazetës përparimtare “Avgji”(Agimi) dhe një prej faqeve më të njohura internetike “Protagon”, përveç veprimtarisë gazetareske shquhet edhe si aktivist dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Unionit Grek për të Drejtat e Njeriut.Vetë kryesocialisti Venizellos ka komunikuar me ministrin e Mbrojtes Civile të Qytetarit Lefteris Oikonomou dhe i ka kërkuar të shfrytëzojë gjithë mundësitë ligjore që gazetari i shquar të mos largohet nga vendi, ndërsa PASOK  ka nxjerrë deklaratë për shtyp në përkrahje të tij duke e konsideruar atë si pre e sistemit.

I pyetur për Top Channel, Ago ka deklaruar se nuk do t’i lëshojë armët dhe do të luftojë deri në fund për një problem që nuk përballon vetëm ai, por mijëra bashkëkombas të tij dhe që ka ardhur koha që organet greke t’i japin një zgjidhje pas dy dekadash zvarritjesh dhe pengesash burokratike që nuk i lejojnë ata të integrohen plotësisht në jetën e vendit.
 

Top Channel