Aksidenti tragjik, ngushëllime nga Prishtina

21/05/2012 00:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ngushëlluar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, pas aksidentit tragjik të ndodhur në aksin rrugor Sarandë-Himarë.

Në telegramin e ngushëllimit të Presidentes Jahjaga, thuhet:

I nderuari President Topi,

Me dhimbje të thellë morëm lajmin mbi vdekjen tragjike, si dhe plagosjen e studenteve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, në aksidentin e trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë – Himarë.

Pranoni ngushëllimet e sinqerta të qytetarëve, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të miat personalisht, për humbjen tragjike të jetëve të studenteve.

Në këto çaste të rënda për familjarët e viktimave dhe për tërë Republikën e Shqipërisë jemi pranë jush për të ndarë dhimbjen e madhe për këtë tragjedi.  

Zoti President, ju shpreh solidaritetin e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ju ofrojmë përkrahjen e plotë.

Thaçi: Kosova, tronditje të thellë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut shqiptar Sali Berisha, lidhur me aksidentin tragjik të së hënës në Himarë.

Në mesazhin e tij, Thaçi ka shprehur tronditjen e qeverisë së tij, si dhe të të gjithë qytetarëve kosovarë.

“Vrulli i rinisë studentore u ndërpre nga dalja tragjike nga rruga e autobusit me të cilin po udhëtonin studentët”, thotë Thaçi në telegramin e tij.

Kryeministri kosovar i ka shprehur homologut dhe gjithë familjeve të studentëve që humbën jetën në këtë tragjedi ngushëllimet e tij më të sinqerta.

“Populli i i Kosovës dhe qeveria e tij ndjejnë dhembje dhe dëshirojnë që të jenë pranë jush dhe familjeve që humbën të dashurit e tyre”, shprehet më tej Thaçi.

“Kjo dhimbje duhet të forcojë kujtimin për ata që humbën jetën dhe për idealet e tyre për liri dhe një perspektivë më të mirë”, vijon shefi i ekzekutivit kosovar.

Hoxhaj: Kosova pranë familjarëve të viktimave

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një
telegrami ngushëllimi dërguar homologut shqiptar Edmond Haxhinasto, ka
shprehur tronditjen e thellë të qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës për
ngjarjen tragjike që ka ndodhur në Himarë, ku kanë gjetur vdekjen një
numër të rinjsh dhe janë plagosur shumë të tjerë.

“Në këto çaste të rënda ne i bashkohemi pikëllimit dhe dhimbjes së familjeve që kanë humbur fëmijët e tyre në këtë tragjedi. Populli i Kosovës po ashtu i bashkohet lutjeve për shërim sa më të shpejt të të lënduarve në këtë tragjedi”, thuhet në telegram.

Ministri Hoxhaj ka shprehur gjithashtu solidaritetin dhe gatishmërinë e plotë të qeverisë së Kosovës për të ndihmuar me çdo mjet dhe në çdo formë autoritetet shqiptare dhe familjet e të aksidentuarve për tejkalimin sa më shpejt të kësaj situate tragjike.


Aksidenti, lajmi në mediat botërore

Lajmi për aksidentin tragjik në Himarë është pasqyruar edhe në mediat e huaja, përfshirë ato më prestigjozet si BBC e CNN, si dhe tek ato italiane në edicionet e tyre online.

“Students killed in Albania bus crash”, është titulli i lajmit tek faqja e internetit e BBC, ku në brendësi të lajmit thuhet: “11 vetë humbën jetën dhe 22 të tjerë u plagosën pasi një autobus ra në humnerën e një shkëmbi në jug të vendit”.

Lajmi në web site-n e rrjetit informativ britanik shoqërohet me një foto që përmban hartën e Shqipërisë ku është përcaktuar me saktësi vendndodhja e Himarës.

Të njëjtin titull mban edhe lajmi për tragjedinë i pasqyruar në CNN dhe i vendosur në plan të parë të web site-t. Lajmi këtu është më i përditësuar, pasi rrjeti amerikan përmban numrin e saktë të viktimave, që është 12.

Aksidenti është transmetuar edhe në agjencinë prestigjoze franceze “AFP”, si dhe në atë italiane “ANSA”, me titullin: “Shqipëri, autobusi në humnerë, viktima”.

Lajmi është publikuar edhe në formë “flash” në faqen e internetit të së përditshmes “Corriere della Sera”, me titullin “Shqipëri, autobusi me studentë në humnerë”.

Po ashtu lajmi mbi ngjarjen tragjike është transmetuar edhe në web site-n e “La Repubblica”, si dhe në agjenci të tjera private të vendit fqinj. 

Top Channel