Itali, bomba në Brindizi, akt terrorist

22/05/2012 00:00

Hetimet mbi ngjarjen e së shtunës në Brindizi të Italisë, ku nga
shpërthimi i një bombe në një shkollë të mesme mbetën të vrarë një
nxënëse, ndodhen në rrugë pa krye.

Kështu ka deklaruar ministrja e Brendshme e vendit fqinj, Annamaria Cancellieri, e cila ka nënvizuar se, edhe pse nuk është zbardhur skenari i ngjajres, bëhet fjalë për një atentat me sfond të pastër terrorist.

“Edhe pse ende nuk i dimë motivet, efekti që shkaktoi shpërthimi ka qenë terrorist në kuptimin e plotë letrar të fjalës”, ka thënë ministrja.

Zonja Cancellieri ka njoftuar se, analiza e filmimeve të telekamerës së vendosur në kioskën ngjitur me institutin shkollor mundësonte identifikimin në distancë të personit që duket se ka aktivizuar telekomandën.

Duke raportuar në Parlement mbi atentatin, ministrja ka saktësuar se, hipoteza e hetuesve është se bëhet fjalë për të njëjtin person që ka shkaktuar shpërthimin, pasi pamjet tregojnë në fillim një tronditje dhe menjëherë më pas një re tymi.

“Subjekti fshihej prapa kioskës dhe pas shpërthimit është drejtuar në një rrugë, duke u zhdukur plotësisht nga rrezja e telekamerave”, ka shtuar ministrja.

Megjithatë, shefja e çështjeve të brendshme të vendit fqinj ka theksuar se hetimet po vazhdojnë, me forcat e policisë që po mundohen të mbledhin të dhëna për identifikimin e autorit të atentatit dhe për të zbuluar nëse ai ka pasur bashkëpunëtorë.

Ndërkohë, ditën e hënë në qytetin jugor të Italisë u bë ceremonia mortore për vajzën që humbi jetën nga shpërthimi, Melisa Bassi, vetëm 16 vjeç.

Në ceremoni morën pjesë qytetarë të shumtë, shokë të shkollës të adoleshentes, si dhe shumë autoritete, mes të cilëve kryeministri Mario Monti që u kthye në Itali nga samiti i Çikagos.

Top Channel