Në një komunikatë publike për mediat, drejtori i policisë së qarkullimit
rrugor, Vullnet Topalli ka bërë me dije detaje nga aksidenti i rëndë i
ndodhur ditën e djeshme.

Sipas Topallit, autobusi me targa të Elbasanit ka rënë nga një lartësi prej 60 metrash ku si rezultat gjetën vdekjen 13 persona. Drejtori i policisë së qarkullimit rrugor ka dhënë identitetin e plotë dhe moshën e secilit, ku vihet re se përveç shoferit të autobusit, i moshës 57-vjeçare, të gjitha studentet nuk e kalonin moshën 22-vjeçare.

“Po kurohen në Spitalin Ushtarak 15 shtetase, 10 vajza ndodhen në spitalin e Vlorës, ndërsa studentja që ndodhej në spitalin e Himarës është përmirësuar dhe është kthyer në familjen e saj”, ka thënë Topalli. Më tutje drejtori i qarkullimit rrugor ka dhënë sqarime në lidhje me angazhimin maksimal të të gjitha strukturave të shtetit në përballimin e kësaj emergjence, ku strukturat e policisë e shtetit kanë bashkërenduar punën me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Mbrojtje etj,. Janë angazhuar në këtë operacion edhe strukturat e Policisë së Vlorës, por edhe banorë të shumtë të zonës të cilët i ka dhënë menjëherë ndihmën e parë të mbijetuarve të aksidentit të rëndë. Gjithashtu, sipas Topallit, janë vënë në dispozicion helikopterët e Policisë së Shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe Ministrisë së Mbrojtjes si dhe ambulancat e qytetit të Vlorës dhe Tiranës për të mundësuar transportimin sa më shpejt të të plagosurve drejt Spitalit Ushtarak apo drejt spitalit të Vlorës.

Në lidhje me shkaqet reale të kësaj ngjarjeje të rëndë, që përbën edhe misterin më të madh dhe pyetjen që të gjithë drejtojnë në këto momente, drejtori i policisë së qarkullimit rrugor ka sqaruar se, në vendngjarje kanë shkuar menjëherë ekspertë të prokurorisë dhe kriminalistikës, të cilët janë duke vijuar punën për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

“Aksi rrugor ku ndodhi ngjarja ishte i pajisur me mbrojtëse anësore, i ndriçuar dhe me sinjalistikë përkatëse, asfalti ishte i thatë dhe i pastër. Shtetasi Pëllumb Çela, shoferi i autobusit, ishte i pajisur me leje drejtimi përkatëse që në vitin 1999 dhe e kishte rinovuar lejen deri në vitin 2014. Mjeti kishte kryer kontroll teknik më 26.4. 2012”, – ka sqaruar në komunikime tij me mediat, Vullnet Topalli.

Top Channel