Elbasani qan, trishtim dhe dhimbje për tragjedinë e Himarës

22/05/2012 00:00

Është e vështirë të jesh qytetar i Elbasanit në këto momente, aq më tepër të jesh student i universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Heshtja që ka pllakosur këtë shkollë është e kobshme.

Të pafuqishëm për t’i kthyer në jetë, studentë, pedagogë, zyrtarë, miq dhe familjarë të viktimave kanë ardhur të nderojnë kujtimin e studentëve që nuk do të kthehen kurrë më as në bangat e shkollës e as pranë familjarëve të tyre.

Kanë qenë 72 persona në 2 autobusët e nisur në ekspeditën mësimore, por vetëm një pjesë e tyre arritën të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpi. Të mbijetuarit ndjehen të dobët dhe thonë se fatin e shokëve të tyre mund ta kishin pasur edhe ata vetë.

Njëra nga shoqet e vajzave që ka qenë pjesë e ekspeditës në Sarandë sjell kujtimet e fundit: fotografinë në Apolloni ku janë të gjithë bashkë, ashtu siç nuk do të jenë kurrë më.

Të njohur e të panjohur, djem e vajza të reja që mes heshtjes e lotëve tregojnë: “Kam pasur një kushërirë që ka humbur jetën dhe e mora vesh nga prindërit.”
“Janë moshatarët tanë, na vjen shumë keq që janë ndarë nga jeta në lule të rinisë. Ngushëllime të gjithë familjarëve.”

Fotografitë e studenteve të “Aleksandër Xhuvanit” qëndrojnë hijerëndë në hollin e fakultetit. Duket sikur janë zemëruar dhe nuk duan t’I flasin askujt. Ato heshtin dhe heshtja e tyre ka pllakosur të gjithë Elbasanin.

Top Channel