Kujtohet Dritan Hoxha

23/05/2012 19:55

Më 23 maj 2008 u nda nga jeta, pas një aksidenti tragjik, themeluesi i grupit Top Media, Dritan Hoxha. Që atëhere familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të Dritan Hoxhës nderojnë cdo 23 maj kujtimin e tij.

Në lëmin e medias, Dritan Hoxha ka themeluar radiot Top Albania, Top Gold dhe My Music, televizionin Top Channel, gazetën “Shqip”, platformën e parë në Shqipëri për transmetime dixhitale tokësore dhe satelitore, DigitAlb dhe më pas, edhe për transmetime në celular sipas teknologjisë DVB-H.

Po ashtu, nën nxitjen direkte të tij, DigitAlb ishte e para kompani që realizoi në Shqipëri transmetime në High Definition; kurse Top Channel, i pari televizion që prodhoi emisione dhe dokumentarë në High Definition.

Për shkak të pasionit të tij, Dritan Hoxha është cilësuar nga pronarë të mediave të tjera si adrenalina e medias shqiptare.

Duke bërë ëndrrën e tij realitet, Dritan Hoxha u dha mundësi edhe shumë të tjerëve, gazetarë, artistë dhe teknikë, të ndjekin edhe ata ëndrrat e tyre.

Për të ushqyer pikërisht ëndrrën e më të rinjve, që prej dy vjetësh fondacioni me emrin e tij jep një çmim për gazetarët e rinj.

Sot, emrin e Dritan Hoxhës e mbajnë 3 rrugë në 3 qytete të ndryshme ku banojnë shqiptarë: në Tiranë, Prishtinë dhe Tetovë. Një vlerësim ky për veprën e tij, që nëpërmjet transmetimeve televizive realizoi një bashkim shpirtëror të shqiptarëve.

Top Channel