Në ditën e nisjes së procesit për zgjedhjen e Presidentit dhe përfundimit të afatit të caktuar nga Komisioneri për zgjerim për përfundimin e reformës zgjedhore dhe parlamentare, zëdhënësi i Stefan Fule, i pyetur nga TCH, sqaroi se megjithëse ky afat nuk është përfundimtar, koha po mbaron.

“Nuk ishte një afat përfundimtar i përcaktuar nga Komisioni, por ishte ajo që tha Komisioneri Fule në Tiranë disa javë me parë si dhe në Këshillin e javës së kaluar, se marrëveshja e nëntorit duhet zbatuar realisht para nisjes së procesit të zgjedhjes së Presidentit, pra sot, por data 24 nuk ka përfunduar ende, megjithëse nuk duhet humbur kohë dhe koha realisht po mbaron”, u shpreh Peter Stano, zëdhënës i komisionerit Stefan Fule.

Stano përsëriti rëndësinë thelbësore që ka përfundimi sa më i shpejtë i reformës zgjedhore dhe parlamentare, në mënyrë që koha e mbetur të shfrytëzohet edhe për përmbushjen e prioriteteve të tjera kyçe që do të mundësonin rekomandimin e statusit kandidat në vjeshtë.

Ndërkohë, ai shtoi se shtyrjet e herëpashershme të afateve dhe mosmbajtja e angazhimeve përbën goditjen e radhës për kredibilitetin e vendit. “Siç e thashë, data 24 nuk ka përfunduar ende, prandaj nuk do të kapërceja tek konkluzionet dhe pasojat. Por, e kemi thënë se koha po mbaron dhe kjo është një çështje urgjente e cila duhet adresuar. Dhe kur Komisioneri ishte në Tiranë atij iu garantua, si nga Kryeministri, njësoj dhe nga lideri i opozitës, se ata do të punojnë realisht për të përfunduar pa pengesa reformën zgjedhore. Dhe ajo që po themi është që ne presim që premtimet të mbahen, ne presim rezultate konkrete dhe po e përsëris, koha po mbaron dhe ne i kemi bërë thirrje të përsëritura liderëve shqiptarë dhe iu bëjmë sërish thirrje të punojnë mbi këto çështje dhe t’i mbyllin ato pa pengesa dhe shumë shpejt, pasi ka ende më shumë punë për tu bërë për përmbushjen e të 12 prioriteteve kyçe, e kjo është shumë e rëndësishme”, shtoi Stano.

Megjithë shancet e njëpasnjëshme të dhëna nga Komisioni në lidhje me afate të ndryshme, mosmbajtja e fjalës nga pala shqiptare, mospërbushja në kohë e reformës zgjedhore dhe parlamentare apo ndikimi i zvarritjes së këtyre reformave mbi nivelin e përmbushjes së kushteve të tjera të caktuara nga Komisioni, rrezikojnë, ndër të tjera, humbjen e statusit kandidat për të tretin vit radhazi.

Top Channel