Presidenti, Patozi letër Ruçit

25/05/2012 19:20

Pas zhurmës mediatike, mazhoranca ka vendosur kontaktin e parë me opozitën për gjetjen e një konsensusi në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Republikës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi, gjithashtu anëtar i grupit negociator për zgjedhjen e presidentit të ngritur nga Kryesia e PD-së ditën e enjte, i dërgoi një letër homologut të tij socialist, Gramoz Ruçi.

Letra është dërguar në mënyrë institucionale duke u depozituar në Kryesinë e  Kuvendit. “Zgjedhja e Presidentit duhet të shërbejë për ngritjen në një nivel të ri të komunikimit mes forcave politike, por edhe për ngritjen në një stad të ri të emancipimit të shoqërisë sonë demokratike. Në këtë kontekst, ne jemi të prirur për një proces, sa transparent, aq edhe të qytetëruar, sa gjithpërfshirës, aq edhe serioz e kushtetues, i cili të nderojë secilin prej nesh dhe atë që ne përfaqësojmë”, shkruhet në letër.

Pasi nënvizon mandatin e marrë bashkë me zotin Edmon Spaho nga Partia Demokratike, kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi fton opozitën që të nisin takimet që ditën e shtunë në ambientet e Kuvendit ku të diskutohet për emrin dhe procesin e zgjedhjes së presidentit.

“Ne jemi të hapur, që duke filluar nga nesër paradite, të takohemi me negociatorët Tuaj në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, në ditën dhe kohën që Ju e gjykoni të përshtatshme. Në pritje të një përgjigje nga ana Juaj, gjej rastin t’ju shpreh konsideratën time më të lartë”, përfundon letra e zotit Patozi.

Top Channel