Shefja e FMN-së, Christine Lagarde u ka bërë thirrje qytetarëve grekë që të paguajnë taksat dhe jo t’u shmangen atyre.

Në një intervistë për gazetën “The Guardian”, zonja Lagarde sugjeron se për Greqinë është koha që të shlyejë detyrimet.

“Për aq kohë sa Athina është e shqetësuar, unë mendoj gjithashtu për gjithë ata njerëz atje që përpiqen t’u shpëtojnë taksave gjatë gjithë kohës. Mendoj se ata njerëz duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin në mënyrë kolektive”, deklaroi Lagarde.

Ajo u shpreh se është më e shqetësuar për krizën e fëmijëve në Afrikën sub-Sahariane sesa për njerëzit në vendet e eurozonës të prekura nga kriza.

“Mendoj më shumë për fëmijët e vegjël në një fshat të vogël të Nigerit, që bëjnë mësim dy orë në ditë, duke ndarë një karrike për tre vetë dhe që janë më të prirur të arsimohen”, theksoi shefja e FMN-së.

“Ata janë në mendjen time gjatë gjithë kohës, sepse mendoj se më shumë nevojë për ndihmë kanë ata sesa njerëzit në Athinë”, shtoi zonja Lagarde.

Greqisë i është kërkuar të ndërmarrë masa të forta anti-krizë në këmbim të ndihmës multi-miliardëshe për të përballuar situatën e rëndë ekonomike.

Por marrëveshja tani është e kërcënuar pas zgjedhjeve të majit. Teksa vendi është në pritje të zgjedhjeve të reja të qershorit, tani është shtuar edhe frika se Athina mund të detyrohet të lërë eurozonën.

Kjo mund të shkaktojë një krizë për bankat jo vetëm në shtetin helen, por edhe në vende të tjera të eurozonës, paralajmërojnë ekspertët.

Top Channel