Presidenti i ri i Serbisë, Tomisllav Nikoliç ka deklaruar se vendi i tij
do të ndjekë rrugën evropiane, por do të heqë dorë prej saj nëse i
kërkohet të bëjë lëshime territoriale.

“Proçesi drejt BE-së do të ndalet në qoftë se na kërkohet që të heqim dorë nga një pjesë e territorit tonë”, ka thënë Nikoliç, duke iu referuar Kosovës.

Në një intervistë për televizionin rus “Russia Today”, Nikoliç ka thënë më tej se është i gatshëm të bisedojë me zyrtarët e Prishtinës, me përjashtim të kryeministrin Hashim Thaçi.

“Jam gati të bisedoj me përfaqësuesit e Prishtinës, por jo me Hashim Thaçin, pasi ai është i dyshuar për krime ndaj popullit serb”, ka pohuar presidenti serb.

Ai ka shtuar më tej se është edhe nacionalist edhe demokrat dhe është shprehur i vetëdijshëm se do të duhet kohë e gjatë që të vlerësohet nga mediat perëndimore.

Gjatë qëndrimit të tij në Rusi, Nikoliç premtoi se Parlamenti i Serbisë do të shqyrtojë mundësinë e njohjes zyrtare të pavarësisë së Abkazisë dhe Osetisë Jugore, dy rajonet separatiste në territorin e Gjeorgjisë.

Në një intervistë për “Zërin e Rusisë”, presidenti serb hodhi poshtë krahasimet mes “statusit sovran” të dy republikave dhe statusit të Kosovës.

Gjatë vizitës në Moskë, Nikoliç premtoi rritje të bashkëpunimit në të gjitha sferat mes Serbisë dhe Rusisë dhe garantoi se Serbia është do të mbetet vendi partner i Moskës në Ballkan.

Nga ana e tij, presidenti rus, Vladimit Putin siguroi homologun serb se, ai mund të mbështetet tek përkrahja e Moskës për të vendosur në jetë programin e tij qeverisës.

Dy presidentët vlerësuan se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve janë në nivele të kënaqëshme, sidomos në vitet e fundit, por shtuan se ka akoma hapësira për më tepër bashkëpunim.

Vizita e Nikoliç në Rusi u bë në kuadër të mbajtjes së Kongresit të 13-të të partisë së Putin, Rusia e Bashkuar, e cila tashmë udhëhiqet nga ish-presidenti Dmitry Medvedev.

Top Channel