Xhezair Zaganjori kandidat për President

30/05/2012 00:00

Pas orës 19:00 të mbrëmjes së mërkurë kanë nisur edhe orët më interesante, jo vetëm për negociatorët direktë të koalicionit qeverisës, por edhe për median dhe publikun.

Negociatorët nuk flasin zyrtarisht për emra, por një listë e besueshme me emra ka nisur të qarkullojë.Dhe në krye të saj është Xhezair Zaganjori, kandidati kryesor i dalë mbrëmjen e të martës dhe emri i parë në negociatat PD-PS që zhvillohen mëngjesin e të mërkurës. Se sa do të rezistojë ky emër, këtë do ta vërtetojë përfundimi i negociatave dhe të paktën seanca e parë e votimit.

Lista fare mirë mund të quhet lista e diplomatëve kandidatë për presidentë, por kush preferon drejtësinë më shumë sesa diplomacinë mund ta quajë edhe lista e juristëve.  

Ndoshta ekonomia mbetet e papërfaqësuar mire, sepse Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, këmbëngul, edhe publikisht se preferon më shumë të zgjidhë problemet në ekonomi, sesa ato në politikë.

Diplomatët përbëjnë shumicën e listës prej 8 emrash që qarkullon nën zë. Ata janë njerëz që njihen si të afërt me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta dhe që kanë bashkëpunuar ngushtë me të ndër vite, por disa prej tyre kanë bashkëpunuar gjithashtu me Sali Berishën dhe janë promovuar gjatë qeverisjes së tij për të ngjitur shkallët e karrierës diplomatike.

Përsa i përket gjyqtarëve, ata janë emra të njohur edhe në të Drejtën Ndërkombëtare, përfaqësues të Shqipërisë edhe në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Nga do të anojë peshorja e politkës, e cila zakonisht nuk është dhe aq e saktë? Për këtë duhet pritur.

Kryetari i grupit të PD  Astrit Patozi ka deklaruar  në mbrëmje se të mërkurën do të ketë kandidatura për të testuar vullnetin e opozitës.

Seanca për votim është parashikuar në orën 10:00, por mesa duket do të jetë një formalitet pa president, sepse në orën 11 është parashikuar mbledhja rutinë e qeverisë.

Kush është Xhezair Zaganjori?

Një ndër emrat kryesore  në mos kryesori i listës së kandidatëve për president që qarkullojnë në tryezën e negociatave mes palëve është ai i Xhezair Zaganjorit.

I diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 1981. Që nga ajo kohë ka qenë lektor i të Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Europiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në shkollën e Magjistraturës dhe në shkollën e Studimeve Europiane.

Në vitin 1991 zoti Zaganjori ka qenë i zgjedhur edhe si anëtar i gjykatës së pajtimit dhe arbitrazhit prane OSBE-së. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë ambasador në Gjermani ndërsa në vitin 1993 ka marrë edhe gradën shkencore Doktor i Shkencave Juridike e pasuar në vitin 2009 nga titulli Profesor.

Në vitin 2003 është zgjedhur anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe vazhdon të jetë ende edhe sot. Zoti Zaganjori është autor i një sërë botimesh shkencore brenda dhe jashtë vendit, dhe është gjithashtu pjesmarrës aktiv në kognrese e konferenca të ndryshme ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.

Lista e plotë e emrave kandidatë për President të Republikës, propozuar dhe shqyrtuar nga mazhoranca:  

Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Artur Kuko, Ambasador në NATO

Dashnor Dervishi, Ambasador në Greqi

Ferit Hoxha, Ambasador në OKB

Ledi Bianku, Anëtar i Gjykatës së Strazburgut

Kristaq Traja, Ish-anëtar i Gjykatës së Starzburgut

Mimoza Halimi, Ambasadore në Belgjikë

Xhezair Zaganjori, anëtar i Gjykatës Kushtetuese

Top Channel