Presidenti, dështon seanca e parë

30/05/2012 00:00

Askush nuk u surprizua nga mungesa e votimit të një kandidati për president në raundin e parë. Aq më pak, askush nuk priste që kandidati i dalë nga bisedimet brenda mazhorancës mbrëmjen e së martës të pranohej të mërkurën paradite nga opozita si kandidati konsensual për president.

Në fakt, për juristin, anëtar të Gjykatës Kushtetuese me përvoje diplomatike, Xhezair Zaganjori, Partia Socialiste nuk ka bërë komente. Opozita kërkoi bisedime direkte me mazhorancën, ku veç presidentit të diskutohen edhe tre çështjet e tjera të mbetura pezull për pak nene, reformës zgjedhore, ajo parlamentare dhe kufizimi i imuniteteve.

Kryeministri Berisha dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta janë të mendimit se zgjedhja e presidentit konsensual nuk duhet kushtëzuar me reformat e tjera, për të cilat, kryeministri tha se ishte i gatshëm për komprimis, në bazë të formulimeve të reja për KQZ-në, që ka propozuar në mënyrë informale opozita.

“I quani që nuk janë të qenësishëm, por hajde të zgjedhim presidentin, atë emër propozojeni ju”, deklaroi në sallën e Parlamentit kreu i grupit kuvendor të PS, Gramoz Ruçi.

“Studiojeni, shqyrtojeni. Nëse ju paraqisni një argument që ky njeri nuk plotëson qoftë edhe një kërkesë për të qenë kryetar shteti, na i thoni dhe vërejtjet tuaja ne do t’i trajtojmë”, u përgjigj kryeministri Berisha.

“Konsensusi kërkohet me kundërshtarë, siç nuk e keni bërë ju. Asnjëherë s’është vonë për të biseduar e arritur një konsensus sipas frymës së Kushtetutës”, vijoi replikën Ruçi.

Ndërsa kreu i LSI, Ilir Meta tha: “Koha e shkurtër ka bërë që të jetë realiste kandidatura në fjalë, por kjo nuk do të thotë se opozita nuk mund të propozojë kandidatin e saj”.

Që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat këtë vit nuk ka shumë kohë. Por për djegien e afateve, secila palë kishte qëndrimin e vet akuzues për palën tjetër.

“Të marrësh përgjigje negative për herë të tretë, është përgjegjësi e madhe për mazhorancën, zoti kryeministër”, iu drejtua Ruçi-Berishës.

“Nëse doni të faktoni se s’keni qëllim të bllokoni proçesin e integrimit, studiojeni më mirë dhe na thoni çfarë ka mangut ky person për të qenë kandidat konsensual. Por është vullneti i kryetarit tuaj për të bllokuar çdo gjë që ka në dorë”, theksoi Berisha.

Kreu i LSI-së, Ilir Meta bëri një përpjekje për të bindur opozitën se zoti Xhezair Zaganjori është kandidati i duhur dhe se për shkak të kohës ai nuk duhet paragjykuar.

“Është bërë shumë mirë që është folur për një kandidat konkret dhe unë besoj se mazhoranca ka dhënë një standart. Ai gërsheton përvojën diplomatike dhe atë në fushën e gjyqësorit, plus atë akademike, duke dhënë një mesazh të qartë se politika ka vizion për të parë përtej vetes”, deklaroi Meta.

A do të mbijetojë kandidatura e pazyrtarizuar e Xhezair Zaganjorit? A do të mundet ai të jetë edhe kandidat për president i pranuar nga opozita? Kjo nuk mund të mësohet tani shpejt.

Partia Socialiste shpreh bindjen se proçesi duhet provuar në takimin e të gjithë kryetarëve të partive parlamentare, përfshirë Sali Berishën dhe Edi Ramën. Por kryeministri beson se këtë takim Edi Rama kërkon ta shfrytëzojë për imazhin e tij politik.

“Të gjithë i takoi opozita, por kreun e mazhorancës jo, sepse ai nuk do të ulet me kundërshtarin”, vijoi deklarata e Ruçit.

“Unë takohem që sot me të, por problemi është se duhet zgjidhur problemi dhe jo të bëjmë shoë televiziv”, u përgjigj Berisha.

Si kryetar partie, Sali Berisha është ulur me Edi Ramën vetëm dy herë. Një herë në vitin 2007, kur nuk arritën të zbatonin një marrëveshje verbale për president konsensual.

Dhe herën e dytë dhe të fundit në 2010-ën, edhe atëherë në një takim të dështuar për reformën zgjedhore, kur opozita ishte jashtë Parlamentit.

Të hënën, më 4 qershor, siç përcaktoi pa konsensus konferenca e kryetarëve, është randi i dytë i votimit për zgjedhjen e presidentit. Deri atëherë mund të ketë zhvillime, por më përpara deputetët duhet të zgjidhin një çështje proçeduriale.

Në seancën e së enjtes ata duhet të votojnë propozimin e shumicës qeverisësë për të zhvilluar të hënën raundin e dytë, ose të votojnë propozimin e opozitës për ta kryer raundin më 5 qershor, për t’í lënë, siç thotë Partia Socialiste, sa më shumë kohë bisedimeve. 

Raundi i dytë për Presidentin, të enjten votimi në Kuvend

Votimi i dyte per presidentin e ri të Republikes do të percaktohet nesër në seancën e zakonshme në Kuvend. Në një njoftim te Kuvendit thuhet se Konferenca e Kryetarëve u mblodh për të caktuar datën për zhvillimin e raundit të dytë  për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë.

Në konferencë u morën në shqyrtim të gjitha opsionet e mundshme që lejon rregullorja dhe në përfundim shumica e anëtarëve të Konferencës mbështetën propozimin që raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Shqipërisë të zhvillohet ditën e hënë, 4 qershor ne oren 10:00, vijon njoftimi zyrtar.

Meqenese perfaqesuesit e Partisë Socialiste nuk dhanë  konsensus për këtë datë pasi kërkuan zhvillimin e Seancës ditën e martë, me 5 qershor, Konferenca gjykoi që, për mungesë konsensusi,zgjedhja e njërës prej këtyre alternativave duhet të bëhet sipas rregullores në seancën e nesërme parlamentare, mbyllet njoftimi i Kuvendit.

Opozita nga ana e saj e argumentoi kerkesen per shtyrjen e dates me faktin se kerkon te shfrytezoje te gjithe kohen e mundshme per te pare gjetjen e nje konsensusi.

Top Channel