Plan urbanistik për Himarën

01/06/2012 00:00

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi planin urbanistik të Himarës, që
sipas Kryeministrit do të trefishojë potencialin turistik të kësaj zone.

“Eshte radha e planeve lokale dhe më vjen mirë që fillohet me Himarën, e cila ka një potencial të jashtëzakonishëm turistik dhe siç dëshmon ky plan, potenciali i saj mund të trefishohet. Janë autoritetet lokale, të cilat kanë bërë kujdes në mbështetjen e qeverisë për të hartuar planin. Ftoj të gjitha komunat e bregut të ndjekin këtë shembull, në mënyrë që zhvillimi i turizmit të njohë dimensione të reja”, tha Berisha.

KRRTRSH miratoi edhe lejet për sheshet e ndërtimit dhe rrugëve lidhëse për ndërtimin e dy puseve të naftës nga kompania “Petromanas”.

“Plani i kompanisë që edhe detyrim kontraktual kundrejt kontratës me ndarje prodhimi, për vitin 2012 është të shpojë dy puse, një në zonën e Shpiragut, në fshatin Mbreshtan dhe një në zonën e Shkodrës, në komunën Guri i Zi. Për të gjithë investimi i kompanisë për të dyja puset, duke përfshirë pusin kërkimor, përfundimin dhe testimin e puseve brenda vitet, planifikohet të jetë një investim fillestar minimal, në vlerën 48 milionë dollarë”, thanë ekspertët.

Kryeministri i dha edhe pak ngjyrim politik mbledhjes se sotme, kur kujtoi se vendndodhja e njërit prej puseve koiçidon me vendin e origjinës së dy figurave të rëndësishme politike, një prej të cilëve kundërshtari i tij më i madh dhe tjetri anëtar në kabinetit që drejton.

“Ky shpim ndodh pikërisht në fshatin e Edi Ramës, fshat të cilin unë e kam vizituar dy herë dhe biri i tij i shquar nuk e ka vizituar asnjëherë, madje sipas Sokol Olldashit, që është edhe ky një bir tjetër i atij fshati, ai nuk e pranon fare që është nga Mbreshtani”, tha Berisha.

Këshilli Kombëtar i territoreve ka miratuar edhe një sërë vendimesh tjera si planin urbanistik të Lushnjes dhe lejet e ndërtimit për disa hidrocentrale, mes të cilëve edhe ato të Zallit të Okshtunit të denoncuara nga opozita si koncesione të përftuara nga njerëz të afërt me ministren e Integrimit.

 

Top Channel