“Moratoriumi po dëmton turizmin”

02/06/2012 11:10

Krerët e bashkive dhe komunave bregdetare të qeverisura nga PS janë mbledhur paraditen e së shtunës në Durrës, për të diskutuar mbi sezonin e ri turistik, që në disa zona është çelur.

Mësohet se gjatë takimit kryetarët vendorë janë shprehur njëzëri kundër moratoriumit të skafeve, të vendosur nga qeveria Berisha që kur erdhi në pushtet në vitin 2005.

“Moratoriumi dëmton sezonin turistik”, ka deklaruar kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i mbështetur nga zyrtarët e tjerë të pushtetit lokal.

Disa herë kryetarët vendorë të zonave bregdetare si dhe deputetë të opozitës i kanë bërë thirrje qeverisë që të shfuqizojë moratoriumin, me pretendimin se ai nuk është më efikas.

Por nga ana e saj, qeveria ka bërë disa herë të ditur se nuk ka ndërmend ta heqë moratoriumin dhe në fund të muajit të kaluar njoftoi anulimin e votimit të tij në Parlament.

“PD informon shqiptarët se skafo-deputetë në Parlamentin shqiptar, me porsoi dhe interesa direkte të mafias dhe trafikut të drogës, me të cilat ndajnë me sa duket fitimet, ka marrë nismën e anulimit në Parlament të moratoriumit të skafeve”, deklaroi zëdhënësja e PD.

“PD denoncon këtë nismë të skafo-deputetëve që duan të shndërrojnë Shqipërinë në skafo-republikë vetëm e vetëm për pasurimin e tyre me paratë e drogës dhe trafiqeve të tjera kriminale dhe që kërcënon interesin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në Europë”, shtoi ajo.

Reagimi i saj erdhi një ditë pasi forcat e rendit ne Shqipëri dhe Itali vendosën para ligjit rreth 32 anëtarë, shqiptarë dhe italianë, të një bande të madhe dhe rrezikshme të mafias e trafikut të drogës, si dhe konfiskoi skafin dhe mjetet e tjera të tyre të krimit të organizuar.

Top Channel