Orikumi fton turistët

02/06/2012 20:00

Bashkia e Orikumit ka çelur sezonin turistik për këtë vit me shumë aktivitete duke ftuar të gjithë të vizitojnë plazhet dhe zonën e bukur të kësaj bashkie.

Aktivitetet muzikore, grupet artistike nga krahina e Orikumit kanë gjallëruar gjithë qytetin. Pjesëmarrësit e shumtë në këtë aktivitet kanë shijuar edhe gatimet e restoranteve, kuzhinën e detit, por edhe gatimet tradicionale me një menu falas për të gjithë.

Kjo është hera e parë që Bashkia e Orikumit organizon aktivitete në nxitje të turizmit. Bashkia më herët ka bërë pastrimin e zonës, largimin e ndërtimeve pa leje dhe krijimin e kushteve shumë të mira. Orikumi është i kërkuar për plazhet e pastra, por edhe kuzhinën shumë të mirë.

Gëzim Capo, kryetar i Bashkisë Orikum, theksoi: “Premtojmë që si kjo ditë do të jenë të gjitha ditët e tjera të sezonit turistik. Ne po përpiqemi t’I japim një frymë të re turizmit në zonën tonë duke filluar që nga turizmi detar, deri tek ai historic, arkeologjik dhe malor.”

Një zonë shumë e pëlqyer është qyteti antik i Orikumit, nga ka marrë edhe emrin qyteti i ri. Grupe të ndryshme nga Vlora, Tirana e Ulqini kanë performuar në amfiteatrin e Orikumit.

Orikumi përveç plazheve ka edhe një port jahtesh, i vetmi në Shqipëri.

Top Channel