Turizmi, Durrësi me probleme

03/06/2012 00:00

Edhe pse sezoni turistik ka nisur, disa segmente të bregdetit të Durrësit janë në gjendje tërësisht të papërshtatshme për turizëm.

Në Ministrinë e Mjedisit thuhet se nuk ka nisur pastrimi për mbetjet dhe projekti për shtrimin e kanalizimeve të ujërave të zeza, i cili duhet të përfundonte në vitin 2010 ka ecur me ritme të ngadalta edhe sepse shumë subjekte kanë bërë rezistencë.

Drejtori i Kontrollit të Mjedisit, Aldred Deshati, thekson se bashkëpunimi me pushtetin lokal në Durrës është gati inekzistent çka ka sjellë mjaft probleme: “Pavarësisht këmbënguljes nuk po ofrohet asnjë lloj bashkëpunimi të paktën për marrjen e masave urgjente. Zona e bregdetit madje as nuk është pastruar si vitet e tjera. Është ndoshta nga qytetet e vetme ku nuk kemi bashkëpunim.”

Edhe këtë verë klubet e natës duket se do të vazhdojnë të prodhojnë shqetësime për pushuesit. Sipas Ministrisë, një pjesë e madhe e tyre janë pa leje mjedisore. Inspektorët e mjedisit kanë theksuar se nëse ata do të vijojnë punën do të gjobiten deri në 2 milionë lekë.

“Pjesa më e madhe e subjekteve nuk janë drejtuar në agjensitë rajonale të mjedisit për tu pajisur me leje. Do të ketë masa shumë të ashpra ndëshkimore për të gjitha subjektet që nuk kanë pranuar pajisjen me leje”, theksoi Deshati.

Klubet e natës të cilat kanë leje mjedisore mund të qëndrojnë të hapura në fundjavë deri në orën 12 të mbrëmjes. Pas kësaj ore, policia e shtetit dhe ajo bashkiake duhet të ndërhyjnë për mbylljen e tyre.

 

Top Channel