Banka Botërore parashikon që rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2012 të shkojë në 4 përqind.

Kjo është një shifër që tregon se Kosova qëndron shumë më mirë se pesë vende të tjera të Europës Juglindore përsa i përket rritjes, duke lënë pas Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.

Gjatë prezantimit të raportit të zhvillimit për këto shtete, që u bë gjatë së hënës, në të njëjtën kohë nga gjashtë kryeqytete përmes një video konference, ekspertët e Bankës Botërore thanë se ekonomia e Kosovës parashihet të rritet më shpejt se tek vendet tjera të rajonit, për shkak se është e mbrojtur nga Eurozona.

“Sa u përket përparësive të Kosovës në këtë rast mund të themi se Kosova pritet të ketë rritje ekonomike më të madhe se sa të gjitha shtetet e tjera të rajonit, pasi rritja do të jetë diku 4%, ndërsa në shtetet e tjera parashikohet të jetë shumë më e ulët. Arsyeja për këtë është se ekonomia do të jetë më e mbrojtur nga Eurozona sesa shtetet e tjera, pra për shtetet e tjera eksportimi në Eurozonë është mangësi, ndërsa në këtë rast kjo është përparësi për Kosovën. Megjithatë, kjo është një përparësi momentale, pasi në të ardhmen mund të shndërrohet në një burim të madh dobësie”, deklaroi Borko Handjiski, ekonomist për Kosovën në Bankën Botërore.

Pavarësisht këtyre përparësive, sipas Handjiski, Kosova ka disa mangësi, e që janë: papunësia dhe varfëria e lartë, prodhimi shumë i ulët dhe eksporti shumë i ulët, e importi i mallrave i lartë.

Sipas Bankës Botërore kjo duhet të jetë sfida më e madhe për qeverinë, se si të krijojë rritje ekonomike që do të ndikonte në rritje të numrit të të punësuarve.

Sipas ekonomistëve të Bankës Botërore, kriza në Eurozonë nuk pritet të ndikojë në të ardhmen në Kosovë.

”Kosova ka pasur fatin që nuk është shumë e hapur ndaj krizës në Greqi e Eurozonë, prandaj nuk është ndikuar shumë. Dua të them se rritja ekonomike në 2012 ishte 5%, më e larta në rajon dhe ndonëse ishte një rritje e qëndrueshme, ajo vazhdon të jetë e pamjaftueshme”, u shpreh Agim Demukaj, ekonomist në Bankën Botërore, zyra për Kosovë.
 
Parashikimi për rritjen e ekonomike gjatë vitit 2013 nuk ndryshon shumë në shifra nga ai i vitit aktual. Sipas Bankës Botërore, gjatë vitit të ardhshëm Kosova pritet të ketë një rritje prej 4.1 përqind.

Top Channel