Rusi, miratohet ligji anti-protestë

06/06/2012 15:15

Dhoma e lartë e Parlamentit Rus votoi pro një projektligji të debatueshëm, i cili rrit ndjeshëm gjobën për pjesëmarrjen në protesta të paligjshme.

Në bazë të ligjit të ri, pjesëmarrja në manifestime për të cilën nuk është lëshuar një leje nga policia, nga ndëshkimi prej 5 mijë rublash (152 dollarësh) në fuqi, tashmë do të gjobitet me 300 mijë rubla për pjesëmarrësit (9 100 $) dhe deri 600 mijë rubla (18 200 $) për organizatorë.

Projektligji u mbështet nga 132 senatorë ditën e martë, me vetëm njërin që votoi kundër dhe një të dytë që abstenoi.

Në mënyrë që të shndërrohet në ligj, projekti duhet të marrë firmën e presidentit Putin, diçka që pritet të jetë vetëm një formalitet, pasi ishte vetë partia e komanduar prej tij, “Rusia e Bashkuar”, ajo që propozoi ligjin.

Rusia u trondit nga tre muaj protesta të fuqishme pas parregullsive që u regjistruan në zgjedhjet parlamentare të shkurtit dhe ato presidenciale në prill.

Disa organizata ndërkombëtare dhe aktivistë pro-demokracisë në Rusi kundërshtuan ashpër ligjin e ri, të konsideruar si tejet shtypës dhe frikësues për të gjithë ata që marrin pjesë në manifestime anti-qeritare.

Gennady Gudkov, një deputet i partisë opozitare “Rusia e Drejtë”, e përshkroi ligjin si “drakonian”, ndërsa theksoi se ai reflekton frikën e Kremlinit nga njerëzit e tij.

”Ky ligj shtron rrugën për një luftë civile, për repression masiv në të ardhmen dhe të gjithë e dimë se si përfundon shtypja, në gjakderdhje, varfëri dhe revolucion”, u shpreh Gudkov.

Edhe ish-presidenti rus, Mikhail Gorbaciov shprehu besimin e tij se presidenti Vladimir Putin nuk do të dekretojë ligjin e ri që rrit në mënyrë drastike gjobat për të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët në manifestimet e paautorizuara.

I cituar nga agjencia e lajmeve Interfax, ish-presidenti rus, i nderuar me cmimin Nobel për Paqe, tha se “Putin nuk do të firmosë ligjin, pasi sipas tij, projekti është jë tirani”.

Top Channel