Ina Rama: Gjykatat penalizojnë Prokurorinë

07/06/2012 18:40

E ndodhur në Shtetet e Bashkuara për një vizitë, kryeprokurorja shqiptare, Ina Rama foli për disa nga cështjet më të ndjeshme me të cilat po përballet institucioni i sistemit të drejtësisë që ajo udhëheq.

Korrupsioni

Kryeprokurorja Rama fajësoi sistemin gjyqësor i cili sipas saj në situatën në të cilën ndodhemi, ka penguar agresivitetin e prokurorisë duke dhënë vendime “të padrejta” sidomos në cështje që lidhen me korrupsionin.

Sa i përket këtij fenomeni ku dyshohet se janë përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, kryeprokurorja tha se Prokuroria ka çuar në gjykatë 3 cështje, dy për shpërdorim detyre dhe një tjetër për korrupsion. Në të tre këto cështje, sipas zonjës Rama, gjykatat kanë vlerësuar se akuzat e ngritura nga prokuroria janë të paqena.

“Prokuroria ka ngritur akuza për korrupsion për zyrtarë të ulët e të lartë. Por sistemi gjyqësor na ka penalizuar në luftën kundër fenomenit duke ulur agresivitetin e prokurorisë. Është një situatë reale. Kanë qenë tre cështje për zyrtarë të lartë, në të treja rastet vendimet e gjykatës kanë qenë jo në favor të akuzave që ne kemi ngritur. Në gjykimin tonë mendojnmë se gjykata ka gabuar në të tre këto raste. Kjo nuk është konceptuar nga ne si dështim por është konsideruar si qasje e ndryshme e sistemit gjyqësor”, tha kryeprokurorja Rama.

Zonja Rama tha se edhe Prokuroria vetë vuan nga korrupsioni, por se përpjekjet për ta luftuar atë vazhdojnë. Si shembull kryeprokurorja solli hetimin e dy rasteve të prokurorëve, megjithatë edhe në këto dy raste, tha Ina Rama, vendimi i gjykatës ishte i gabuar.

“Korrupsioni është prezent edhe në prokurori. Mekanizmat që ne kemi është ndjekja ligjore. Ka patur dy akuza për korrupsion ndaj prokurorëve dhe unë kam kërkuar arrest me burg që të sigurohet që nuk mund të tolerohet në këtë aspekt. Por në të dyja rastet nuk jemi mbështetur nga gjykata. Në një rast gjykata shpalli pafajësinë, kur ishte një rast fajësie i pastër”, deklaroi Ina Rama.

21 Janari

Më 23 maj u mbajt seanca e parë gjyqësore për cështjen e 21 Janarit ku u vranë katër persona. Megjithatë kjo seancë zgjati vetëm 10 minuta pasi prokurorët kërkuan më shumë kohë për t’u shprehur për kërkesat e avokatëve mbrojtës të të akuzuarve, mes të cilëve edhe ish-kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.

Por në ç’fazë ndodhet organi i hetimor në zbardhjen e kësaj çështje dhe vështirësitë e një procesi kaq të ndjeshëm ku janë të përfshira struktura të caktuara shtetërore? Kryeprokurorja Ina Rama deklaroi se janë siguruar provat e mjaftueshme që identifikojnë vrasësit e tre personave, ndërsa për njërën nga vrasjet, cështja është e pezulluar, pasi prokurorët nuk mund të identifikonin vrasësin.

“Hetimet kanë qenë të vështira pasi 21 Janari është një cështje komplekse, edhe më komplekse se ‘Gërdeci’. Hetimi është i vështirë dhe gjithë publiku e ka ndjerë. Ka qenë në kushte të vështira, ndoshta për faktin se përfshihen në hetim struktura të shtetit dhe hetime të tilla janë të vështira në cdo vend të botës. Por me ndihmën e FBI-së dhe ekspertëve amerikanë ne arritëm të bëjmë shumë gjëra që s’mund t’i bënim pa këtë mbështetje. Ne jemi të kënaqur për pjesën e vrasjeve. Kemi arritur në identifikimin e autorit dhe autorëve. Ne kemi identifikuar vrasësit për tre viktimat dhe për njërën kemi vendosur pezullimin pasi s’kemi identifikuar se cili nga anëtarët e Gardës ka qëlluar”, tha Rama.

Ndërsa për hetimin e tre deputetëve pa imunitet të Partisë Socialiste (Taulant Balla, Besnik Bare dhe Saimir Tahiri) që hetohen për protestën e 21 Janarit, kryeprokurorja Ina Rama tha se grupi hetimor është në fazën e mbledhjes së provave.

Top Channel