Lopa parashikon fitoren e Portugalisë

08/06/2012 00:00

Pas oktapodit Pol në skenë ka dalë një tjetër orakull i pazakontë; një lopë gjermane parashikoi se skuadra e Paulo Bentos do të fitojë me Gjermaninë kur të gjenden përballë njëra-tjetrës të shtunën në euro 2012-të.

Lopa me emrin Ivone është bërë e famshme mes tifozëve portugezë. Një konkurs i vecantë u organizua gjatë një panairi në qytetin bavarez të Degendorf-it, ku Ivona u vu përballë zgjedhjes: nga njëra anë ushqimi me flamurin gjerman dhe nga ana tjetër ai me ngjyrat e Portugalisë. Duke zhgënjyer thellë tifozët gjermanë, kafsha iu drejtua kutisë me flamurin portugez.

Ivone nuk është një emër i panjohur në Gjermani. Vitin e kaluar, lopa u bë e famshme me arratisjen e saj tre-mujore, kohë gjatë së cilës arriti t’i shpëtonte kërkimeve me helikopterë, qenve me erë dhe armëve të gjuetarëve.

Për 90 ditë, ishte e pamundur të kapje Ivonen në landin e mbipopulluar të Bavarise tha kreu i një shoqate për mbrojtjen e kafshëve, Mikael Aufhauzer.

Ishte si ato patat e egra, që marrin instruksione nga lart, shtoi ai duke qeshur. Pas largimit nga një fermë e Myldorfit, majin e 2011-ës, lopa u fut në listën e më të kërkuarve kur iu turr një makine të policisë, por në fund shoqata e Aufhauzerit arriti fatmirësisht ta gjejë përpara se të binte në dorë të gjuetarëve.

Top Channel