Mbahet sot Ministeriali i Tiranës për Korridorin VIII, Spiropali: Shqipëria një nga nyjet më të besueshme të këtij projekti Pas një periudhe heshtje prej gati tre ditësh, Fatos Nano ka qenë tepër aktiv gjatë të hënës me qendrime dhe deklarata. Më e fundit ishte ajo pas zgjedhjes së Bujar Nishanit në postin e kreut të shtetit, të cilin Nano e ka përshëndetur.
Por vetëm pak orë më parë, pas deklaratave të kreut socialist se mazhoranca po bënte diversion me Fatos Nano, ish-lideri i PS-së, Fatos Nano për herë të parë pas shumë vitesh ka lëshuar një deklaratë të ashpër në adresë të Kryeministrit Berisha.
Por le të marrim me radhë qendrimet e zotit Nano në orët e pasdites, pak përpara se të niste raundi i katërt për votim, pas dorëheqjes së papritur të Artan Hoxhës dhe kandidimit të Bujar Nishanit, në një deklaratë të Lëvizjes Fatos Nano për President theksohej se ish-kryeministri Fatos Nano pas konsultave me konstitucionalistë paralajmëronte mazhorancën se me zgjedhjen e Bujar Nishanit po kryente një veprim anti-kushtetues për shkak se ky i fundit mbante njëkohësisht edhe postin e Ministrit të Brendshëm.
Çka sipas zotit Nano përbën një shkelje të rëndë të ngjashme deri diku me atë të zotit Ilir Beqaj ish-deputet i Partisë Socialiste i cili humbi mandatin e tij pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Rreth 60 minuta më pas në një tjetër deklaratë, shprehej zhgënjimi i zotit Nano për rrjedhën që kishte marrë procesi. Në minutat që i paraprinin zgjedhjes së Bujar Nishanit, zoti Nano sulmoi vetëm dhe ashpër kryeministrin Berisha, të cilin ai e quan përgjegjës të vetëm të krizës politike në vend.
Nano deklaronte se Berisha tregoi se donte më shumë pushtetin e tij se sa shtetin e shqiptarëve dhe e fajësonte atë për atë që konsiderohej degjenerim i procesit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Në deklaratë nënvizohej fakti se kryeministri u tregua i paaftë për herë të dytë për të zgjedhur një President Republike të denjë e me staturë të vërtetë që kërkon ky post.
Në deklaratën e tretë atë post-zgjedhjes së Bujar Nishanit, zoti Nano theksonte se sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë të bashkohen e presidenti i ri Bujar Nishani, sipas tij më tepër se kurrë duhet të simbolizojë unitetin kombëtar.
Me këtë rast ish-kryeministri Fatos Nano i ka shprehur urimet zotit Nishani duke vlerësuar në të njëjtën kohë procesin e votimit në Kuvend që sipas tij ka qenë plotësisht transparent. Në përfundim të deklaratës, thuhet se Levizja Nano e konsideron të mbyllur misionin e saj dhe se për më tutje do të njoftohet gjithcka tjetër.
Top Channel