Kongresi i VLEN, Albin Kurti në krah të Mickoskit, për herë të parë ‘harrohet’ himni shqiptar, reagime të ashpra në RMV dhe Kosovë Kosova ka filluar një ditë më herët të festojë 12 qershorin “Ditën e Lirisë”, si njërën nga datat më të rëndësishme në historinë e saj.13 vjet më parë trupat e NATO-s hynë në Kosovë, që shënon largimin e forcave serbe dhe çlirimin e Kosovës. Për këtë përvjetor drejtues të shtetit dhe të partive politike kanë uruar qytetarët dhe kanë falënderuar shtetet që ndihmuan për këtë gjë.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në deklaratën e saj shpërndarë mediave, shkruan se “Çlirimi dhe shpallja e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, i ndërtuar mbi bazën e vlerave qytetare, është një vepër madhore e shumë brezave që vepruan dhe u sakrifikuan për këto ideale. Kjo arritje madhore u realizua fal luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe përkrahjes dhe angazhimit të pakursyer të miqve tanë ndërkombëtarë”, duke shtuar se synimi mbetet që të ndërtohet një e ardhme e dinjitetshme, bazuar në vlerat më të larta të civilizimit europian.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, në deklaratën e tij shkruan se “12 qershori përbën gurin themeltar të fillimit të ndërtimit të shtetit, të gjakuar aq shumë gjatë shekujve. Është ditë e ndërtimit të vlerave qytetare, ditë që hap një epokë të re e me perspektive për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie kombëtare e fetare”. “Kosova është një faktor paqeje e stabiliteti në rajon e më gjerë duke gjetur përkrahje ndërkombëtare, posaçërisht nga ShBA dhe BE”, thuhet në deklaratën e Krasniqit.
Po ashtu, gjatë së hënës, më 11 qershor kryeqyteti i Kosovës ka shënuar ditën e çlirimit, me aktivitete të shumta. Me nderime për dëshmorët e kombit dhe për të gjithë ata që kontribouan për këtë ditë, kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, ka zbuluar maketin e sheshit që mban emrin e dëshmorit Zahir Pajaziti, ndërtimit i të cilit do të fillojë brenda këtij muaji.
Ndërsa Qendra për Prishtinën e Lëvizjes Vetëvendosje, në një komunikatë për media shkruan se “më 11 qershor, e kujtojmë çlirimin e Prishtinës nga forcat okupuese serbe dhe në këtë ditë kujtojmë me nderin më të madh angazhimin e popullit tonë për liri”, duke shtuar se “Prishtina u çlirua më 11 qershor nga forcat okupatore serbe, por çlirimi nuk u pasua me zhvillimin e Prishtinës, por me uzurpuimin e saj nga pushtetarë të cilët interesin e tyre e vendosën para interesit të qytetarëve”.
Top Channel