Dino Asanaj, shefi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, është qëlluar me thikë për vdekje pak minuta pas orës 13 të së enjtes.

I ndjeri Asanaj nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra me thikë në fyt dhe në gjoks. Vdekja e tij u konfirmua nga Mehmet Maxhuni, Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë.  Ai njoftoi se pacienti kishte mbërritur në klinikë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe pothuajse pa shenja jete.

Vrasja e shefit të AKP-së vjen pak ditë pas disa denoncimeve publike në shtypin kosovar të disa biznesmenëve për përfshirjen e Asanajt në afera korruptive. Remzi Ejupi, pronar i kompanisë “Eurokoha” dhe kryetar i Odës Ekonomike Gjermane i cili është njëri nga aksionarët e hotelit Grand deklaroi se Dino Asanaj i ka kërkuar dy herë para për ta zhbllokuar procesin e privatizimit të hotelit Grand. Sipas Ejupit, sekserët e Asanajt fillimisht i kishin kërkuar 4 milionë euro si kusht të vetëm për ta lejuar zhbllokimin e procesit të privatizimit.

Pas këtij denoncimi të Ejupit edhe biznesmeni Abdurraman Konjufca kishte deklaruar se Asanaj i kishte kërkuar para për të zgjatur kontratën e shfrytëzimit të objektit fermë në Lipjan. Ai kishte deklaruar se, Asanaj e ka marrë në telefon dhe i ka thënë se përveç tij, në këtë çështje janë të përfshirë edhe zyrtarë te lartë të institucioneve të vendit.

52-vjecari Dino Asanaj, me origjina nga Peja në vitin 1982 u diplomua në Beograd. Më pas emigroi në SHBA ku themeloi një kompani biznesi në Nju Jork.

Gjatë karrierës së tij, ai ka organizuar dhe ka marrë pjesë në investime të ndryshme dhe konferenca ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe si edhe në Kosovë.

Gjatë dhe pas luftës së Kosovës ai shërbeu si përfaqësues i Qeverisë dhe përfaqësuesi i UÇK-së në Shtetet e Bashkuara. Gjatë këtyre viteve ishte edhe këshilltar në delegacionin e Konferencës së Rambujesë, kryesisht për çështjet e mërgimtarëve.

Kohët e fundit, i ndjeri Asanaj ishte duke udhëhequr planifikimin dhe ndërtimin e Fshatit Ndërkombëtar në Prishtinë. Policia po vazhdon hetimet megjithatë ende, nuk ka ndonjë të arrestuar.

Top Channel