Parku Kombëtar pranë Liqenit Artificial ka nisur të urbanizohet . Ambientalistët kanë denoncuar  prerjen e 7000 metër/katror pyll brenda një nate në zonën përballë Fakultetit Filologjik.

“Është një masakër në mes të kryeqytetit të Shqipërisë, është një pabesi e madhe e kryebashkiaku që është prononcuar fuqimisht për një Tiranë të gjelbërt. Kemi të bëjmë me një mungesë totale përgjegjshmërie për qytetin, tregon se shpejt, kështu si ky vend që shikoni këtu, do të masakrohet i gjithë parku. Ky është precedent shumë i rrezikshëm”, thotë ambientalisti Lavdosh Feruni.

Burime të pakonfirmuara thonë se prerja e pemëve është bërë për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit, por ambientalistët e kundërshtojnë këtë.

“Këtu në këtë tokë ka projekte për t’u ndërtuar, projekte 5-12 katëshe. Për mua si ambientalist dhe qytetar, shqetësim është prerja e pyllit”, thotë ambientalisti tjetër, Sazan Guri.

Brenda ambientit të Parkut Kombëtar i është dhënë leje Ambasadës Turke për të ndërtuar rezidencat e saj, ndërkohë që sipas ambientalistëve ka të tjera projekte të pabëra publike që pritet të zhvillohen brenda ambienteve të këtij parku.

“Nuk ka asnjë tabelë. Është me detyrim ligjor të vendoset një tabelë se cfarë do të bëhet këtu. Nuk ka asnjë plan rregullues të miratuar, as nga Këshilli Bashkiak as nga qeveria. Zoti Basha ka ardhur në pushtet duke bërë një thirrje: do shtojmë sipërfaqet e gjelbërta të qytetit, dhe ky është hapi i parë. 7 mijë metra/katërorë që u hoqën brenda një nate në Tiranë, hapi i dytë është se ambasada turke që do të marrë 7 mijë metra të tjera, është kampusi universitar që pritet të ndërtohet pas universitetit, është unaza, e ashtuquajtura unazë e cila qëllimisht u fut brenda parkut. Ne sot mund të themi që Tirana nuk e më Parkun e Liqenit”, thotë arkitekti Artan Shkreli.

Top Channel