
Kanë mbërritur në Shqipëri një grup mjekësh nga Melburni të Australisë, për
të dhënë një kujdes të specializuar për fëmijët, me vizita dhe nderhyrje
kirurgjikale ne spitalet e Tiranes. Ambasadorja e Australisë në Greqi,
Jenny Bloomfield, e cila mbulon edhe Shqipërinë, organizoi një event
falenderimi.
Ajo tha se me mbështetjen e fortë të komunitetit shqiptaro-australian u mundësua ardhja e mjekëve në Tiranë, pasi ky komunitet mblodhi 60 mijë dollare.
“Ne jemi të lumtur t’i mirëpresim këta mjekë për të tretën herë në Tiranë. Ata tashmë kanë ndërtuar marrëdhënie të konsoliduara me kolegët e tyre shqiptarë, pasi është komuniteti shqiptar në Australi, që e mundësoi ardhjen e tyre, për të ndihmuar fëmijët që kanë nevojë për një trajtim të specializuar”, tha ambasadorja Bloomfield.
Ambasadorja australiane thotë, se ky nuk është i vetmi projekt në ndihmë të fëmijeve në nevojë, që kërkojnë një trajtim të specializuar.
“Jemi këtu gjithashtu për të treguar edhe për disa projekte të tjera në Shqipëri, e veçanërisht në zonat rurale siç është projekti për sensibilizimin e fëmijëve për higjienën e gojës. Kemi ndihmuar në ndërtimin e një fushe lojërash në një jetimore. Një tjetër projekt është ai për agrikulturën. Ky është një tregues i partneritetit, që ne po ndërtojmë me popullin shqiptar. Bizneset australiane janë duke parë mundësitë e të investuarit në Shqipëri në shumë fusha si në turizëm, transport dhe arsim”, theksoi ambasadorja.
Zonja Bloomfield ka vlerësuar si jashtëzakonisht pozitiv rolin e komunitetit shqiptar në Australi, kur u shpreh se “ata kanë arritur të jenë të suksesshëm dhe kanë përparuar në të gjitha fushat e jetës”.
Top Channel