Vizita e parë zyrtare e Presidentit të ri serb në Bashkimin Europian u çel me një gafë diplomatike nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherin Ashton, e cila kërkoi ndihmë nga stafi i saj për të dalluar kush ishte Tomisllav Nikoliç, megjithëse këtë të fundit e kishte uruar katër orë para daljes së rezultateve në ditën e zgjedhjeve.

Përfaqësuesja Ashton: Robert, dikush duhet të vijë me mua sepse nuk e kam idenë se çfarë pamje ka. Kush e di? Kush nga nga ju e di se si duket?

Robert Cooper, ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd: As unë nuk e kam idenë.

Catherine Ashton: Kush e di, kush nga ju e di se si duket ai?

Pas takimeve me Presidentin e BE-së Van Rompuj e atë të KE-së Barroso, Nikoliç u shfaq me një retorikë më të “zbutur” se zakonisht në lidhje me Kosovën, por edhe me fqinjët, të cilët përveç Mali të Zi, bojkotuan ceremoninë e betimit të tij në Beograd.

“Lidershipi personal i Presidentit Nikoliç dhe qartësia e angazhimit të tij do të jenë thelbësore për marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët e Serbisë. Në këtë kuadër, normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën mbetet absolutisht një kusht qendror për të hedhur hapin tjetër drejt BE-së”, deklaroi, Jose Manuel Barroso, President i Komisionit Europian.

“Ne duam të zhvillojmë marrëdhënie të shkëlqyera me fqinjët tanë dhe duam t’i bindim të gjithë se është në interesin tonë të kemi bashkëpunim paqësor dhe siguri në rajon, për një jetë më të mirë…Gjatë diskutimit sot me përfaqësuesit me të lartë, jo vetëm të Komisionit por edhe të Këshillit të BE-së, mora garanci se Bashkimi Europian nuk do të kërkojë kurrë nga ne të njohim zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, por na kërkohet të kemi marrëdhënie më të mira, dhe kjo është një gjë e mirë për të gjithë ne”, tha presidenti Tomislav Nikoliç.

Përveç këtij kushti qendror, për të avancuar drejt BE-së, vendi që gëzon statusin e kandidatit duhet të plotësojë detyra të njëjta me vendet e rajonit në fushën e gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Top Channel