
I ndjeri Dino Asanaj u vetëvra, kështu thotë autopsia.Drejtori i
Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu e ka konfirmuar për
RTK-në se të gjitha gjetjet në trupin e të ndjerit Asanaj çojnë tek
vetëvrasja dhe se sipas tij nuk ka gjetje që ka qenë e mundur të bëhet
nga dikush tjetër.
“Autopsia është kryer me komision nga unë, Flamur Blakaj dhe Karmen Barbuf nga EULEX-i. Të gjitha gjetjet në trupin e Asanajt tregojnë se plagët janë shkaktuar nga vetë ai dhe bëhet fjalë për vetëvrasje”, ka thënë Gërxhaliu. “Në trupin e viktimes, respektivisht në qafë janë konstatuar dy plagë prerëse në anën e majtë, shtatë plagë shpuese në anën e djathtë dhe dy plagë në gjoks, njëra prej tyre ishte fatale e cila ka arritur deri në zemër”, shtoi ai.
Ndërsa prokurori që po udhëheq hetimet në këtë rast, Blerim Isufaj nuk ka dashur të flasë shumë. Ai ka thënë se është herët të thuhet diçka, meqë mund të ndikojë negativisht në hetime. Asanaj u gjet të enjten në zyrën e tij në Fshatin Ndërkombëtar me lëndime të rënda me thikë. Ai ka ndërruar jetë më vonë në spital.
Sipas RTK-së, provat që po hetohen janë thika, letra me mbishkrimin e tij, një fotografi familjare që është gjetur pranë tij dhe dy filtra cigaresh edhe ato të gjetura në vendin ku është gjetur trupi i tij me shumë plagë.
Top Channel