Sarandë, vetëm plazhe publike

16/06/2012 00:00

Bashkia e Sarandës ka vendosur që të gjitha plazhet të jenë publike këtë
verë. Drejtori i shërbimeve në këtë bashki Pëllumb Halimi bën me dije
se po investohet për rreth 523 shezlongë dhe çadra të cilat do të
administrohen prej stafit të shërbimeve.

Rreth 15 mijë metra katrorë plazh është e gjithë hapësira publike në funksion të pushuesve. Plazhet janë zgjeruar me rreth 2500 metra katrorë këtë vit, ndërsa rreth 7 milionë lekë të reja po shërbejnë për pastrimin e tyre. Halimi thotë se privatët do të rikontraktohen vetëm për një sipërfaqe të vogël para hoteleve të tyre, ndërsa në të gjithë hapësirën tjetër pushuesit  mund të prenotojnë 2 shezlongë dhe një cadër për vetëm 200 lekë.

Ndërkaq pushuesit duket se e kanë mirëpritur këtë vendim të bashkisë. Kjo sipas shefit të turizmit Aristotel Bita siguron njjë shërbim më të lirë ndaj klientëve dhe do të ndihmojë në vjeljen e të ardhurave për bashkinë.

Për të kompletuar shërbimin më cilësor këtë vit po merren masa gjithashtu për kufizimin e lëvizjes së motorëve të ujit, ndërsa hapësira qe shfrytezohet nga pushuesit ka filluar të plotësohet me sinjalistikë ujore.

Top Channel