Të dhënat e fundit zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se
investimet e huaja direkte kanë vijuar të mbajnë një ritëm pozitiv,
pavarësisht tensioneve të krizës globale.

Sipas Bankës, në tre muajt e parë të vitit, investimet nga jashtë në ekonominë shqiptare arrtiën në 186 milionë euro, nga 83 milionë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në tre muajt e parë të vitit të kaluar investimet e huaja direkte pësuan një rënie të fortë, si pasojë e ngjarjeve të 21 janarit që rritën pasigurinë në ekonominë shqiptare. Por shifrat e fundit për këtë vit tregojnë se fluksi i investimeve nga kompanitë e huaja duket se i është rikthyer ritmit normal, duke financuar pjesën dërrmuese të defiçitit që ekonomia krijon nga importet e mallrave dhe shërbimeve nga jashtë.

Me rënien e vazhdueshme të dërgesave nga emigrantët, vitet e fundit investimet e huaja direkte po shndërohen gjithmonë e më shumë në një nga burimet kryesore të valutës për ekonominë shqiptare. Në vitin 2010 shifra arriti në 793 milionë euro, duke përbërë sipas FMN-së rreth 15 për qind të totalit të investimeve të huaja në gjithë rajonin e Europës Juglindore.

Pjesa dërrmuese e tyre kanë qenë investime kryesisht në sektorin financiar, atë të telekomunikacionit dhe së fundmi edhe në fushën e energjisë ujore. Vitet e kaluara një pjesë e mirë e investimeve të huaja në vend kanë hyrë në formën e privatizimeve të kompanive publike nga qeveria. Disa ekspertë druhen se tashmë që programi i privatizimeve thuajse ka mbaruar, investimet nga jashtë mund të tkurren. Megjithatë në një raport të fundit, Fondi Monetar ndërkombëtar parashikonte se situata e rënduar në disa vende fqinje mund të jetë një rast i mirë për shqipërinë për të thithur më shumë investime dhe kapitale nga jashte. Por sipas fondit kjo kërkon që qevetia të zgjidhë problemet me pronësinë dhe reformat rregullatore që përmirësojnë klimën e biznesit dhe rrisin garancitë për investitorët e huaj.    

Top Channel