Ndotje në Porto Romano dhe shëtitoren “Taulantia”

16/06/2012 00:00

Nga Gjiri i Lalëzit në veri deri te Përroi i Agait në Jug, bregdeti i
Adriatikut që ndodhet nën juridiksionin e rrethit të Durrësit ka një
numër të kufizuar banjosh publike që shtojnë ndjeshëm riskun për ndotje
dhe infeksione. E njëjtë situata eshte edhe në Golem e Malin e Robit.

Ndonëse aktualisht përqëndrimi mikrobial i ujit të detit rezulton në parametra normalë në shumicën e plazheve, afrimi i pikut të sezonit e bën kritike situatën në këto kushte. Drejtues të shëndetësisë në Durrës deklarojnë se plazhet e ndotura janë ato të Porto Romanos dhe shëtitores “Taulantia“ të cilat nuk duhet të frekuentohen nga pushuesit.Ndërkaq Gjiri i Lalzit, Juba, Rrushkulli, Sektori Rinia ofrojnë plazhet më të pastra.

Kreu i shëndetësisë apelon për marrjen e masave nga pushteti vendor dhe operatorët turistikë për të vënë në funksionim banjo publike gjatë periudhës më të frekuentuar të sezonit nga pushuesit, ndërkohë që raporton se plazhi i Currilave, një nga plazhet më problematikë përsa i përket ndotjes detare, me ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve ka dalë nga lista e zezë.

Analizat dhe kontrollet për ndotjen detare pritet të intesifikohen edhe më shumë në vazhdim në bashkëpunim dhe me struktura të tjera shtetërore për të mundësuar një sezon sa më të mbarë dhe larg problemeve për pushuesit.

Top Channel