Ministrja e Tregtisë së Kosovës, Mimoza Kusari Lila nuk e pranon deklaratën e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, sipas të cilës vendimi i fundit për importin e çimentos nuk është në pajtim me marrëveshjen e CEFTA-s për tregtinë e lirë.

Paraditen e së shtunës, ministrja u shfaq në një konferencë për shtyp ku argumentoi sërish vendosjen e tarifës prej 35 për qind për të gjitha vendet që importojnë çimento në Kosovë, se është një masë mbrojtëse për prodhimin vendor dhe e përkohshme.

Sipas ministres, vendimi nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë, por me të gjitha vendet e tjera dhe është në përputhje me Marrëveshjen për Tregti të Lirë, CEFTA, në Ligjin për Masat Mbrojtëse në Importe, dhe marrëveshjen e Organizatës Botërore të Tregtisë.

“Kushtet e përcaktuara në deklaratën e përbashkët janë: se, në rrethana kritike kur vonesat mund të shkaktojnë dëme që do të jenë vështirë të riparohen, atëherë masat e përkohshme mund të merren pa konsultime paraprake, në kushtin se konsultimet do të jetë në efekt menjëherë pas marrjes së këtyre masave”, deklaroi Lila.

Sipas Lilës, ky vendim mund të zgjasë 90 ditë, por nëse shihet e nevojshme mund të mbesë në fuqi deri në 120 ditë, ndërsa tregon se nëse vërtetohet që “SharCem” ka humbur konkurrencën jo për ndonjë praktikë joligjore, atëherë kjo masë do të hiqet menjëherë.

“Në rast se shihet se “SharCem” ka humbur konkurrueshmëri për arsye të tjera dhe jo për arsye të përfitimeve të mënjëhershme, ose për ndonjë praktikë joligjore në treg, atëherë kjo masë hiqet menjëherë dhe natyrisht është ekonomia e tregut ajo që e përcakton fituesin dhe humbësin”, nënvizoi Lila.

Ndryshe, pas zërave se do të ftohet nga disa deputetë për të raportuar në Kuvend në lidhje me këtë vendim, ministrja tha se ajo do të jetë prezente kurdo që të ftohet. Lila i cilësoi si pa baza ligjore kundërshtitë e bëra një ditë më parë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, disa prej të cilëve vijnë nga radhët e së njëjtës parti, AKR.

Ky vendim i Prishtinës bëri që kryetari i Dhomës së Tregtisë së Shqipërisë, Nikolin Jaka të kërkonte zhbërjen e këtij vendimi, pasi sipas tij, jo vetëm po ndëshkohet padrejtësisht biznesi, por po minohen edhe politikat për krijimin e një tregu të përbashket shqiptar.

Top Channel