Intralot: Lotaria pa garë

19/06/2012 19:50

Drejtori i zhvillimit të biznesit në kompaninë “Intralot”, Harris Dotsis, në një intervistë telefonike për “Top Channel” hedh dyshime të forta mbi tenderin për licencën e llotarisë kombëtare. 

Zoti Dotsis shpjegon arsyet se përse kriteret që qeveria shqiptare po përdor në tender janë përjashtuese dhe po çojnë drejt një rezultati tashmë të ditur.

”Para së gjithash, më lejoni të them se operojmë në më shumë se 50 shtete dhe në shumicën e këtyre vendeve kërkohet liçensë për llotaritë kombëtare ashtu siç po kërkohet edhe në Shqipëri. Ne kemi liçensë për llotari kombetare në disa vende, si në Afrikën e Jugut,  në Australi, në Maltë, etj etj. Por, ju siguroj që në asnjë nga këto vende nuk kemi parë tender me kritere të tilla si këto që janë vendosur në Shqipëri. Këto kritere na skualifikojnë jo vetëm ne, por gjithë kompanitë më të mëdha që kanë eksperiencë ndërkombetare në këtë fushë. Për shkak të këtyre kritereve, unë mund t’iu siguroj që ky tender do të jetë me një konkurrencë ekstremisht të kufizuar”, deklaroi Dotsis.

Dyshime të forta ka edhe për çmimin e shitjes së liçensës. Qeveria Shqiptare nuk e ka vendosur çmimin si një nga kriteret konkurruese në tender, por e ka paracaktuar atë te fiksuar. Pra, sipas zotit Dotsis, qeveria nuk kërkon të përfitojë nga oferta më e lartë që vjen nga një konkurrencë e gjerë.

”Nëse autoritetet do të kishin përfshire tarifën e liçensës në kriteret e tenderit, sigurisht që çmimi do të rritej pasi kompanitë konkurrente do të garonin me njëra-tjetrën. Mënyra më e mirë për të sqaruar është t’iu jap një shembull. Ne sapo fituam një tender për liçensën e llotarise kombetare të Maltes. Çmimi me të cilin e fituam ishte 39 milionë euro. Qeveria Shqiptare e ka paracaktuar çmimin 500 milione lekë shqiptare, që në mos gaboj është tre milionë e gjysëm euro. Pra bejini vetë llogaritë sa është popullsia e Maltës dhe se sa është ajo e Shqiperisë, krahasoni çmimin dhe do ta keni të qarte atë se çfarë po ndodh”, shtoi drejtori i “Intralot”.

Në datën 15 qershor, drejtori ekzekutiv i kompanise i ka nisur një letër zyrtare kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, ku denonconte procedurat që po ndiqte qeveria, duke kërkuar edhe pezullimin e tenderit dhe shtyrjen e tij.

”Ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga qeveria juaj për letren dhe ankesat tona. Të pakten deri me tani jo. Tashmë është e qartë qe ne nuk do të marrim pjesë, se ashtu si kompanitë e tjera të medha në këtë fushë jemi skualifikuar nga kriteret që ka vendosur qeveria. Ne kërkuam  pezullimin e procesit të paktën përkohesisht dhe me pas të zhvillohet një konsultim i gjerë publik për të riparë kriteret e tenderit”, shtoi Dotsis.

Por, sa i kufizuar do të jetë numri i kompanive që do të marrin pjesë në tender?

”Unë nuk e di sa kompani do të jenë tamam pjesmarrëse, një apo dy. Ajo qe une di është se numri i tyre do të jetë shumë i kufizuar dhe ne presim një kompani specifike të fitojë sepse është e vetmja që përmbush kriteret”, shtoi Dotsis, pa dashur të jepte emrin e kompanisë në fjalë.

Kriteret e dyshimta, të gjitha gjurmët të çojnë te vetëm një kompani

 
Qeveria Shqiptare ka vendosur si kriter të detyrueshëm në tender disponimin nga kompanitë pjesmarrëse të dy certifikatave.

E para është certifikata e llotarisë së përgjegjshme e nivelit të katërt dhe e dyta është certifikata e standartit të kontrollit të sigurisë. të dy këto certifikata lëshohen nga Shoqata Botërore e Llotarive.

Këto certifikata disponohen kryesisht nga llotaritë kombëtare, të cilat janë kompani ose plotësisht publike ose në një pjesë të caktuar.

Për rrjedhojë ky kriter përjashton automatikisht nga tenderi të gjitha kompanitë private më të mëdha në botë me eksperiencë në fushën e llotarive.

Së dyti, për shkak se kanë natyrë publike llotaritë kombëtare që disponojnë këto licenca marrin shumë rrallë pjesë në tendera ndërkombëtare. Kjo kufizon në mënyrë të ndjeshme pjesëmarrjen në tender.

Afati i fundit i dorëzimit të ofertave për tenderin e llotarisë kombëtare është dita e mërkurë e datës 20 qershor, kur do të vijohet edhe me hapjen e tyre.

Por, me gjasë pritet që në tender të ketë një numër shumë të kufizuar kompanish dhe sipas konkurrentëve grekë të përjashtuar do të jenë vetem vetëm dy kompani pjesëmarrëse, nga të cilat vetëm njëra pritet të përmbushë kriteret.

E ndersa te ardhurat qe do te arketoje shteti nga konkursi pritet te jene te kufizuara, ajo qe do te zbulohet nga tenderi eshte nese fituesi do te jete nje kompani publike e nje vendi te BE, siç e paralajmerojnë drejtuesit e “Intralotit” grek.

Brace: Intralot, kompania e Kokalis nuk është interesi ynë

Lidhur me këtë cështje deputeti socialist Erjon Brace deklaron se Licenca e Llotarisë Kombëtare është skandali i ri i qeverisë “Berisha”.

Në rrjetin social Facebook, Brace shkruan se licenca e Llotarisë Kombëtare është unike, pra monopol.

“Ka shumë eksperienca evropianë që këtë llotari e vendosin si monopol të shtetit. Pra e mbajnë publike duke e përdorur fort edhe për politika sociale”, thotë Brace, por sipas tij në Shqipëri, kryeministri Berisha dhe numrat e tij në Kuvend vendosën ta shesin, duke e kaluar si monopol të një privati.

Sipas tij, opozita ngulmoi fort në parlament që kjo licencë të mbetej shtetërore dhe në interest e publikut. “Unë dua të them se dëshmia e kompanisë INTRALOT vlen shumë për të denoncuar skandalin! INTRALOT, kompania e madhe e grekut KOKALIS nuk është interesi ynë”, deklaron deputeti Brace.

Ai thotë se INTRALOT ka kontaktuar në Tiranë Sali Berishën, në zyren e tij, muaj më parë. “Për mua është e pa pranueshme që kjo licensë të përfundojë në duart e “KOKALISIT SHQIPTAR”, njeriut apo ciftit që po merr gjithcka në këtë vend, me hir apo me pahir, vecanërisht duke përdorur kompani mizerabël të huaja, me të cilat ndajnë pjesën!”, deklaron Brace, i cili kërkon anullimin e tenderit dhe ndryshimin e ligjit, që sipas tij licencën e Llotarisë Kombëtare duhet ta mbajë shteti. 

Ndërkohë gjatë ditës opozita kërkoi zyrtarisht nga Ministria e Financave informacion për procedurat që po ndjek në tenderin e llotarisë kombëtare.

Deputeti socialist Taulant Balla përmes një shkrese zyrtare i ka kërkuar Ministrisë së Financave informacion të hollësishëm për procedurat e ndjekura, metodologjinë e përzgjedhjes së kritereve kualifikuese dhe atyre vlerësuese, si dhe pritshmërite e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga dhënia e licëncës dhe aktiviteti i llotarisë kombëtare.
 

Top Channel