Tiranë, tubim për Marian

20/06/2012 00:00

Qindra qytetarë morën pjesë në tubimin homazh të organizuar nga aktivistë të shoqërisë civile kundër fenomenit të gjakmarrjes.

Të pranishmit mbanin në duar foto të Marias, 17-vjeçares e ekzekutuar në emër të Kanunit së bashku me gjyshin e saj 70-vjeçar, pak ditë më parë në Dukagjin.

Qytetarët vendosën tufa me lule dhe ndezën qirinj pranë foto-homazhit të Marias, ndërsa organizatorë të lëvizje apeluan për ndërgjegjësim të shoqërisë dhe strukturave shtetërore për ndaljen e fenomenit të dalë duarsh prej ligjeve dhe vetë Kanunit.

Pjesë e tubimit mes qytetarëve ishte edhe ambasadori amerikan në Tiranë, zoti Aleksander Arvizu.

Fenomeni i gjakmarrjes, u trajtua gjërësisht edhe nga emisioni Fiks Fare. Mbrëmjen e së mërkurës, Fiksi solli pamjet e ngujimit të familjeve në Lezhë dhe Shkodër dhe “reagimet” e çuditëshme të strukturave lokale, deri në deklarata të tipit “ata kanë problemet e tyre”.

Fiks Fare solli historinë e një familjeje të ngujuar prej dy vjetësh e gjysmë në Kalivaç të Lezhës. Familja kërkoi ndihmën e shtetit përpara se të ndodhë një krim i mundshëm për gjakmarrje.

Ndërkohë, arsimtarët në Dukagjin të Shkodrës thanë për gazetaren e Fiksit se mbi 120 familje janë të ngujuara për shkak të gjakmarrjes dhe dhjetra fëmijë kanë braktisur shkollën.

“Situata është alarmante dhe thirrjet kundër gjakmarrjes bien në vesh të shurdhër”, thotë mësuesja e një shkolle 9-vjeçare në Shkodër.

Top Channel