Gjithçka për turizmin

27/06/2012 00:00

Stina e verës do të peshojë me tërë forcën e saj mbi shpatullat e Aldo
Bumcit, ministër turizmi, që duhet të kujdeset për mbarëvajtjen e
fluksit turistik në vend.

Por për realizuar të tëra porositë e kryeministrit Berisha, ministria e turizmit duhet të bashkëpunojë edhe me dikastere te tjera: ministrinë e transporteve, të punëve të brendshme dhe të shëndetësisë. Kryeministri Berisha ishte shumë i qartë në porositë që dha, duke filluar me rregullimin e lëvizjes së kamionëve në tunelin e Ujit të Ftohtë në Vlorë, pikë nevralgjike e Rrugës së Bregut.

“Policia Rrugore, Drejtoria e Rrugëve dhe Ministria e Punëve Publike të përmbushin në kohë çdo detyrim për transportin më të sigurt të turistëve. Zoti ministër, ne zgjeruam e përmirësuam tunelin tek Uji i Ftohtë. Doganat të ofrojnë shërbimet më të mira në pikat e kalimit kufitar. Së bashku me Policinë Kufitare, Ministria e Brendshme të marrë masa për të garantuar në të gjitha skajet e vendit, rregullin dhe rendin më të sigurt. E domosdoshme të shqyrtohet një ripozicionim i postave të policisë. Po marr shembull zonën e Alpeve, ku dikur mbaheshin posta për të mbrojtur kufirin, tani duhet të kemi posta për të ndihmuar turistët, të kemi gjithashtu një ekip të vogël shëndetësor, si dhe njësi policie të pozicionohen në zonat që janë më shumë të populluara, të cilat do t’i përcaktoni vetë. Ministria e Shëndetësisë duhet që, krahas gatishmërisë së njësisë së helikopterëve, detyrimisht duhet të ketë ekipe të ndihmës së shpejtë edhe në skajet më të largëta, ku shkojnë turistë”, tha Berisha.
 
Kryeministri kërkoi gjithashtu që bashkitë dhe komunat të pastrojnë territorin, në mënyrë që në këtë sezon turistik Shqipëria të paraqitet më e pastër se kurrë. Kryeministri foli për 0 tolerancë ndaj atyre që kryejnë krime ndaj mjedisit. Po ashtu Kryeministri ftoi zyrat e turizmit në rrethe që të bashkëpunojnë me agjensitë turistike. Por ndonëse tha se janë bërë investime të mëdha në infrastrukturën rrugore dhe ujore për turizmin, kryeministri nuk e preku fare çështjen e moratoriumit të skafeve. Pak kohë më parë pushtetarët lokalë të zonave bregdetare dhe liqenore kërkuan shfuqizimin e këtij moratoriumi, që sipas tyre dëmton rëndë turizmin.

Top Channel