Thirrja e ambasadorit Arvizu, zë në shkretëtirë

01/07/2012 00:00

Xhovani Shyti – Fundin e javës së shkuar, ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, adresoi një thirrje, që në thelb përmbante mesazhin: “Vepro tani”.

Domethënë, mos hesht për problemet që shfaqen dhe që bien ndesh me lirinë dhe të drejtat kushtetuese. Në ndryshim nga herët e tjera, thirrja e ambasadorit këtë herë ishte e drejtpërdrejtë. Pa mjete të tërthorta, edhe pse e pazhveshur plotësisht nga sensi diplomatik i të thënit të të vërtetave. Ajo synonte zgjimin e taksapaguesve shqiptarë, nxitjen e shpirtit të kundërshtimit te ta, për të qenë aktiv në zgjidhjen e problemeve, që cenojnë cilësinë e jetës së tyre, por edhe të ardhmen e vendit. Fatin demokratik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, të cilët vazhdojnë të enden në këtë proces, që nga politikanët thirret rëndom “tranzicion”, kurse nga njerëzit: “ku-ku-nëna ime! Të keqen e kohës së Enverit!”

Të shpërfillur në kundërshtitë e tyre, të fyer nga përdorja që vazhdon t’i bëjë pushtet-politika, të tromaksur nga ecja e mbrapshtë e proceseve demokratizuese, më shumë se gjysma e popullsisë ka zgjedhur si shpëtim arratisjen jashtë vendit, ndërkohë që të mbeturve ende brenda kufijve u është plasur buza, nga haraçi i padrejtë që vazhdojnë t’i paguajnë pushtet-politikës. Në pamundësi të bërjes zap të saj, pjesa e lodhur e luftëtarëve, pas ndëshkimit me pushkatim financiar, ka zgjedhur të heshtë e të jetë indiferente përballë turmës së servilëve, puthadorëve e këmbëlëpirësve që garojnë për t’u bërë fresk të pushtetshmëve.

Thirrjen për të vepruar tani, ambasadori Arvizu e artikuloi në prani të jo pak përfaqësuesve të shoqërisë civile e qytetarëve, të mbledhur për të protestuar kundër abuzimit të KQZ-së, me të drejtën kushtetuese për të referenduar. Pasi solli në vëmendje vetëm disa ngjarje tragjike të ndodhura këto javët e fundit, e për të cilat të grupuarit nëpër atë që thirret rëndom “shoqëri civile” duhet të reagonin. Para se të lëshonte thirrjen, ambasadori i SHBA-së përmendi pikëllimin e studentëve dhe pedagogëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, kur një autobus i mbushur me studente ra pranë Himarës; hidhërimin e një familjeje në Dukagjin, ku një vajzë 17-vjeçare u bë pre e një dhune të pakuptimtë; pikëllimin e banorëve të Sarandës dhe Gjirokastrës, të cilët shohin si qyteti i tyre është kthyer në një kanion të betonuar dhe si bien shtëpitë historike etj., dhe më pas shtroi pyetjen: “Përse është penguar realizimi i referendumit për plehrat? Përse KQZ-ja, e cila duhet të veprojë brenda një afati kohor të përcaktuar, nuk ka dhënë një përgjigje, edhe pse kërkesa është firmosur nga më shumë se 50 mijë qytetarë?”

Pati edhe të tjera arsyetime. Pyetje e retorikë mobilizuese në fjalëthëniet e ambasadorit, ku pjesa e nismës “Vepro tani” përbënte boshtin dhe, sikurse ai pohoi, i adresohej çdo qytetari të Shqipërisë. Të gjendur në çdo cep të këtij vendi të bekuar. Me synimin për ndryshimin e rendit të gjërave.

Kjo është pjesa gjithshmërisht e kuptueshme e ligjëratës së z. ambasador. Përmbajtja e të cilës nuk e përfshin atë diplomatike, pra pjesën e nënujshme të ajsbergut komunikativ, që bën të kuptosh se thirrja arvizujane ka për qëllim të stimulojë futjen e masës së taksapaguesve shqiptarë në vallen e ndryshimit. Ta mobilizojë, ta revolucionarizojë, për ta bërë një balancuese të denjë të arrogancës së pushtet-politikës, që nuk njeh dhe nuk respekton kufijtë ligjorë.

Por thirrja e ambasadorit Arvizu është edhe pohim i krizës së mosbesimit te strukturat zyrtare shtetërore. I mosbesimit te pushtet-politika e derisotme arkaike që luajalitetin e ka shndërruar në betejë për jetë a vdekje, me synim të vetëm sundimin, përfitimin material të grupeve e klaneve. Pasurimin me çdo kusht, shtënien në dorë të pronësive publike.

Por thirrja e Arvizusë duhet parë edhe si pohim i pazëshëm, si “dorëzim” i politikës amerikane përpara maskaradës që klasa politike vendore, prej më shumë se dy dekadash, po luan me popullin e vet. Në emër të përpjekjeve për të vendosur demokracinë. E koracuar teprueshëm në kalorësimin e vet triumfal, 20 vite pas rrëzimit të pushtetit të Ramiz Alisë, pushtet-politika shqiptare ka vënë përfund gjithçka. Ajo kontrollon: ekzekutivin, legjislativin, gjyqësorin, madje edhe pjesën dërmuese të pushtetit mediatik, të cilin e ka potencuar duke e financuar me rreth 17 milionë euro në vit. Por edhe shoqërinë civile. Pjesë jo të pakta të së cilës funksionojnë si pjellë, si sajesë të pushtet-politikës, të sunduar nga mazhoranca e kartonëve. Si katër pushtete më vete të komanduara nga një. Njësoj si në ish-sistemin 45-vjeçar diktatorial, ku e vetmja që e hidhte vallen drejtuese të vendit ishte Partia e Punës.

Kjo është, në vija të trasha, shoqëria e sotme shqiptare, të cilën z. ambasador i SHBA-së po përpiqet ta zgjojë nëpërmjet nismës “Vepro tani”, të adresuar individit dhe shoqërisë civile. Një nismë për t’u admiruar, por që përballë realitetit të sipërpërmendur, ngjashmëron me një thirrje në shkretëtirë.

Mu përpara syve të një sërë institucioneve kombëtare e ndërkombëtare, pjesë e të cilave është edhe SHBA-ja. Mu përpara syve të duzina OJQ-ve e të tjera strukturave të ngjashme, që bëjnë pjesë në shoqërinë civile. Në atë shoqëri civile, që përgjatë gjithë viteve të ikura është financuar nga fonde të taksapaguesve euroatlantikë, që financohet nga fonde të pushtet-politikës, e me të cilën ambasadori Arvizu shpreson të korrë frytet e aksionit “Vepro tani”. Me pothuajse të njëjtat shtabe të shoqërisë civile, që për dekada vite pasdiktaturë ka përtypur dhe vazhdon të përtypë fonde, pa arritur të zbythë gjësendi nga arroganca e pushtet-politikës, e cila ka arritur të kuptojë se apelet, thirrjet dhe mesazhet e “miqve ndërkombëtarë”, kanë qenë dhe janë pa qeder. Kanë qenë dhe janë veç një zë në shkretëtirën e realitetit shqiptar për ngjizjen e të cilit edhe ata vetë kanë qenë dhe janë kontribuues.

Aksionimi i shoqërisë civile nën moton “Vepro tani” vërtet është një vlerë, një mënyrë sjelljeje euroatlantike, por për vende ku të drejtat dhe detyrimet bashkëjetojnë në harmoni. Ku këto koncepte respektohen dhe ndërfuten te njëra-tjetra sipas parimit: liria e njërit mbaron atje ku ajo fillon të shkelet liria e tjetrit. Parim i huaj ky për terrenin dydekadësh shqiptar, ku e drejta është shndërruar në atribut i më të pushtetshmit, kurse detyrimi në standard i më të dobëtit. Ku hyjnë edhe ato pak struktura të shoqërisë civile që në përballjen me arrogancën e pushtet-politikës përherë kanë rezultuar humbëse. Humbëse në protestat masive kundër vjedhjes së votave. Humbëse më 21 janar 2011, me katër të vrarë e dhjetëra të plagosur. Humbëse në jo pak protesta kundër plehrarizimit të vendit, kundër petroliferave e TEC-eve që ndotin ambientin, humbëse në protesta që mbrojnë pyjet, objektet muzeore dhe plane urbane shfarosëse të civilizimit. Humbëse në disa beteja antikorrupsion dhe në përballje me drejtësinë. Humbëse në presionin për t’ia hequr parlamentit, pra pushtet-politikës, të drejtën kushtetuese të zgjedhjes së presidentit nga vetëm tre vetë dhe për t’ia kaluar votës popullore… Ka edhe shumë beteja të tjera të humbura, në përballjen e ca segmenteve të shoqërisë civile, me arrogant-pushtetin, ndaj edhe thirrja e ambasadorit amerikan Arvizu “Vepro tani”, tingëllon si një zë në shkretëtirën e realitetit shqiptar, ku, sikurse ai konstatoi: “…Hapësira ku vepron shoqëria civile është zvogëluar ndjeshëm”.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel