Balotelli: Do marr përgjegjësitë… nëse është fëmija im

04/07/2012 08:30

“Do të marr përsipër të gjitha përgjegjësitë e mia kur të kem provat se unë jam babai i fëmijës.”

Kështu është shprehur Mario Balotelli, sulmuesi i kombëtares italiane dhe Manchester City, në lidhje me shtatzaninë e ish të dashurës së tij Raffella Fico.

“Disa ditë më parë mora vesh nga disa njerëz që Raffaella është shtatzënë. Për këtë arsye vendosa ta kontaktoj dhe më konfirmoi që është e vërtetë që pret një fëmijë. Jam shumë i zhgënjyer sepse nuk mendoj se është normale që unë të mos dija gjë deri në muajin e katërt”, lexohet në një komunikatë të futbollistit.

“Edhe pse do të preferoja mos të flisja publikisht për jetën time private, jam i detyruar të ndërhyj për të sqaruar marrëdhënien time me Raffaella Fico. Kjo marrëdhënie ka mbaruar në fillim të prillit dhe që atëherë nuk kemi folur më me njëri-tjetrin. Raffaella e di mirë se unë nuk kam ndërmend më t’i kthehem asaj historie”, shton 21-vjeçari, i cili shton se do të marrë mbi shpatulla të gjitha përgjegjësitë kur të ketë provat e mjaftueshme se fëmija është i tij.

“Kjo është hera e parë dhe e fundit që flas për këtë çështje dhe nuk do kthej përgjigje pavarësisht se çfarë do të thotë Raffaella”, përfundon sulmuesi me origjinë ganeze.

Top Channel