Gramsh, gjendet kufoma e një femre

04/07/2012 09:20

Një kufomë e seksit femër është gjetur në malet e Komunës Kukur të Gramshit.

Trupi i dekompozuar është pikasur nga një bari i zonës, i cili ka qenë duke kullotur bagëtitë në mal. Fillimisht bariu aksidentalisht është ndeshur me një kokë femre, pjesërisht e dekompozuar. Disa metra më tutje ai ka gjetur pjesën tjetër të trupit dhe disa tesha, të cilat i ka marrë me vete duke pretenduar se viktima ishte banore e zonës.

Burime nga policia bëjnë me dije se trupi i gjetur në pyll i përket 55-vjeçares Luljeta Hoxha, banuese në Kukur të Gramshit. Bariu i cili ka gjetur kufomën, ia ka dorëzuar rrobat e saj familjes Hoxha, ku këta të fundit kanë njoftuar policinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor për të nisur hetimet.

Ende nuk bëhet me dije nëse Luljeta Hoxha është vrarë apo është shqyer nga egërsirat. Paraprakisht ekspertiza ka dalë në konkluzionin se 55-vjeçarja ka kohë që ka vdekur. Burimet e policisë bëjnë me dije se viktima ka qenë person i shpallur në kërkim që prej datës 7 prill të këtij viti dhe që prej kësaj kohe askush nuk kishte marrë ndonjë lajm për të.

Hoxha prej kohësh vuante nga shëndeti mendor dhe në mënyrë të përsëritur largohej nga shtëpia në drejtim të paditur. Nëna e katër fëmijëve, 3 djemve dhe 1 vajze, këtë herë nuk ka mundur që të kthehet në shtëpi. Gjithsesi policia ende nuk ka dalë në konkluzionin nëse kemi të bëjmë me një vrasje apo vdekje në mënyrë aksidentale në pyll. Hetimet po vijojnë intensivisht për zbardhjen e  plotë të ngjarjes.

Top Channel