Dorëhiqet kreu i SHIU-t Ylli Zyla

05/07/2012 23:00

Drejtori i Shërbimit Informativ Ushtarak, kolonel Ylli Zyla dha dorëheqjen të enjten në mbrëmje pas akuzave në media se bashkëshortja e tij ishte ortake në tregëtinë e armëve në Shqipëri.

Në tekstin e dorëheqjes drejtuar kryeministrit Berisha dhe ministrit Imami ai i quan këto sulme të pamoralshme,  ndërsa në media është pasqyruar se bashkëshortja e zotit Syla ka konflikt interesi pasi është bashkëaksionere në dy kompani të licensuara në Ministrinë e Mbrojtjes për të eksportuar armatime.

Në motivacionin shoqëruar këtë dorëheqje, kolonel Ylli Zyla shprehet: “Unë i nënshkruari, kolonel Ylli Zyla, me detyrë drejtor i Shërbimit Informativ Ushtarak, nisur nga disa sulme të pamoralshme dhe të pabazuara që më janë bërë mua dhe familjes sime, për të ruajtur integritetin dhe moralin e familjes sime, integritetin e institucionit të SHIU-t si shërbim inteligjence i një vendi anëtar të NATO-s, marrëdhëniet e shkëlqyera të SHIU-t me shërbimet partnere strategjik të inteligjencës, si dhe për të garantuar vijueshmërinë normale të veprimtarisë dhe operacioneve të SHIU-t, më lejoni t’ju paraqes: dorëheqjen nga funksioni i drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak”.

Brace, akuza krerëve të SHIU-t

Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Brace përmes një reagimi në rrjetin social Facebook ka akuzuar krerët e shërbimit informativ shtetëror ushtarak më së shumti kreun e dorëhequr Ylli Zula si pjestarë të një trafiku armësh në kushte të paqarta të konfliktit të interesit.

Sipas zotit Brace në djeni janë edhe kryeminitsri Berisha dhe Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami që po përpiqen të mbulojnë këtë skandal.

Më tej deputeti socialist thekson se SHIU ka dalë jashtë kuadrit ligjor dhe Kushtetutës në bazë të të cilit duhet të veprojë kjo strukturë.

Hetimi parlamentar për deputetin nuk duhet të ndalet por duhet t’i shkojë deri në fund duke kthyer sic thotë ai në ligjshmëri e kushtetueshmëri veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe agjensive në varësi të saj.

Top Channel