Ekonomi, raporti e KE-së

08/07/2012 00:00

Komisioni Europian në raportin e tij të fundit për periudhën prill-qershor të këtij viti për vendet kandidate dhe ato të përfshira në rrugën e integrimit, në pjesën për Shqipërinë vëren një ngadalësim të ekonomisë kombëtare.

Komisioni Europian vëren me shqetësim publikimin me vonesë të të dhënave zyrtare për llogaritë kombëtare. Sipas Komisionit, që i referohet edhe vëzhgimeve të Bankës së Shqipërisë, ka një përkeqësim të besimit ekonomik të fillim të këtij vitit. Besimi i ulët u pa në industri, ndërtim, por edhe tek konsumatorët.

Raporti vë theksin edhe në përkeqësimin e deficitit të llogarisë korente, që u zgjerua më shumë se 17 përqind  krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kryesisht  thotë raporti, për shkak të rritjes së defiçitit tregtar të Shqipërisë.

Megjithëse Komisioni Europian konstaton dyfishim të fluksit te investimet në fillim të këtij vitit, kjo ka ndodhur thuhet në raport, sepse këto investime ishin shumë të ulta vitin 2011 për shkak të situatës së tensionuar politike që çoi në atdhësimin e kapitalit.

Raporti nxjerr në dukje edhe faktin që normat e interesit të bonove të thesarit janë rritur vazhdimisht që nga janari i këtij vitit, ndërkohë që zgjerimi i kredive dhe depozitave është ngadalësuar dhe kreditë me probleme janë rritur.

Komsioni Europian duke iu referuar Shqipërisë, vëren  se perfomaca financiare e qeverisë nuk është ajo e pritshmja. Në raport thuhet se defiçiti buxhetor në fillim të vitit ka qënë dy herë më i lartë se plani dhe kjo ka ndodhur për shkak të rendimentit të ulët në mbledhjen e të ardhurave buxhetore të cilat në fillim të këtij viti u rritën vetëm 2.2 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rënia e të ardhurave nga mbledhja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, sipas KE-së dëshmon rënien e konsumit ndërsa rënia e Tatimit mbi Fitimin dëshmon rënien e fitimeve në pjesën më të madhe nga Korporata Elektroenergjitike.

Top Channel