“Imami po përgjon opozitën”

10/07/2012 00:00

Opozita ka shtuar akuzat ndaj Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami duke hedhur dyshime të tjera edhe më të rënda se sa sulmet për trafik armësh.

Duke iu referuar refuzimit të kërkesës së deputetëve socialistë për kontroll në këtë ministri, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka deklaruar se opozita e di mirë çfarë po kërkon të fshehë ministri Arben Imami dhe se trafiku i armëve i zbuluar së fundmi, është vetëm “maja e Ajsbergut” e korrupsionit dhe shkeljeve flagrante të Kushtetutës.

“Ashtu sikundër kemi informacione të besueshme nga brenda Ministrisë së Mbrojtjes se trafiku i sapozbuluar i armëve është vetëm maja e ajsbergut të një veprimtarie të paligjshme që shtrihet deri në përdorimin e mjeteve të ushtrisë për përgjime me natyrë politike. Pra, imuniteti, aktualisht, nuk e mbron dot opozitën as nga përgjimi i paligjshëm i përfaqësuesve të saj, për të cilin unë i siguroj të gjithë përgjuesit e zellshëm ilegalë se do të përgjigjen për shkelje të rëndë të ligjit”, tha Rama.

Para se kreu socialist të denonconte aferën e Ministrisë së Mbrojtjes, socialistët nuk u lejuan të kryejnë kontrollin në Ministrinë e Mbrojtjes. Pas këtij refuzimi, nënkryetari i Komisionit Ilir Gjoni e cilësoi ‘puç kushtetues’.

“U gjendëm përpara një rasti flagrant të shkeljes së Kushtetutës, madje unë do ta quaj një puç kushtetues. Eshtë për të ardhur keq që ky ministër, i cili ka qenë një ndër hartuesit e Kushtetutës, të jetë edhe shkelësi më i rëndë i Kushtetutës dhe ligjeve ne fuqi. Në historinë e Komisionit të Sigurisë në këto 20 vjet, unë nuk di të ketë patur një rast të tillë. Unë kam qenë koleg me zotin Imami, kam patur një përshtypje tjetër”, tha nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni.

Por Ministria e Mbrojtjes me anë të sekretarit të saj të përgjithshëm iu përgjigj akuzave duke pretenduar se socialistët nuk kishin një axhendë të qartë për kontrollin.

“Pretendimi se ka një kërkesë të rregullt për kontroll apo mbikqyrje në përputhje me procedurat parlamentare nuk qendron. Më duhet të sqaroj që Ministria e Mbrojtjes i përgjigjet Kushtetutës dhe ligjit të Republikës së Shqipërisë. Fatkeqësisht, ashtu sic u ra dakort, grupi i deputetëve nuk paraqiti kërkesën sipas procedurave parlamentare për të drejtën e mbikqyrjes kuvendore”, deklaroi  Ervin Kulluri, Sekretar i Përgjithshëm i MM.

Më herët në Komisionin e Sigurisë, anëtarët e tjerë të opozitës akuzuan me radhë se ministri po kërkon kohë që të fshehë dokumentacionin, duke arritur deri në pikën se vetë Imami në seanca dëgjimore të mëparshme e ka gënjyer komisionin. Por deputetë të mazhorancës propozuan jo kontroll në dikaster, por në zyrat e Kuvendit, ku cdo informacion i kërkuar të sërviret nga Ministria.

Top Channel