Pesë persona të vdekur mes të cilëve tre shtetas nga Kosova si edhe 15 të plagosur vetëm në javën që lamë pas, në aksin Kukës – Fushë Krujë e bën pothuajse të paefektshme marrëveshjen midis dy shteteve respektive për patrullim policor të përbashkët.

Java që nisi me aksidentin tragjik të hënën ku humbi jetën nje 10-vjecare dhe u plagosën gjashtë persona, u pasua me një tjetër aksident më tragjik në mesjavë ku një vajzë, po 10 vjec dhe babai i saj humbi jetën ndërsa u plagosën katër shtetas të tjerë dhe u mbyll të shtunën në mesditë ku një mjet që humbi kontrollin dhe doli në krah të kundërt goditi një tjetër mjet duke shkaktuar dy të vdekur.

Asnjë periudhë kohore kaq e shkurtër nuk ka qenë me kaq pasoja në këtë rrugë.

Më 22 qërshor të këtij viti dy Drejtorët e Përgjithshëm të policisë firmosën për vitin e tretë me radhë “memorandumin e bashkëpunimit”,  për organizim të shërbimeve të përbashkëta të Policisë Rrugore të dy
vendeve në akset kryesore të vendit në kuadër të sezonit turistik veror, duke e trumpetuar këtë marrëveshje të efektshme në dy vitet e kaluara, pavarësisht se statistikat e aksidenteve rrugore në këtë rrugë nuk kanë rënë.

Ndërkohë që patrullimin sezonal të verës për 2012-ën, të dy drejtuesit e policisë u shprehen se do të jetë akoma edhe më efektiv. Por në planin e masave rruga ku pjesën më të madhe të aksidenteve e shkaktojnë shtetasit kosovarë, ka dalë jashtë kontrollit. Në përqindjen më të madhe të aksidenteve të shkaktuara prej tyre, shkaku kryesor është shpejtësia, një shkak ky që mund të parandalohej nëse patrullimet e përbashkëta do të kërkonin në mënyrë rigoroze, respektimin e shpejtësisë së lejuar në Rrugën e Kombit.

Duket se memomarandumi është thjesht një përpjekje e policive shqiptare për publicitet se janë duke përmirësuar performancën e tyre në qarkullimin rrugor, sektor ky ku prej vitesh, përfshirë të gjitha strategjitë, nuk po arrijnë askund.

Ndërkohë që vetëm vëzhgimet që në fillim të kësaj jave të Top Channel, treguan se pikërisht në vendet më problematike të segmenteve rrugore shqiptare nuk patrulloheshin. 

Top Channel