Edi Rama konfirmoi qëndrimin e opozitës në favor të heqjes së imunitetit dhe kërkoi që kjo inciativë të shoqërohet me një qasje më të gjerë në Kushtetutë.

“Ne besojmë se ndërhyrja në Kushtetutë për kufizimin e imunitetit nuk duhet të kufizohet vetëm tek kjo çështje. Sepse muri që mbron korrupsionin nuk është imuniteti, por pushteti që ka kapur drejtësinë. Të gjithë e dinë se si kanë shkuar gjërat për çështjet më të mëdha. Është koha për një ndërhyrje deçizive në Kushtetutë”, deklaroi Rama.

Për liderin socialist, këto ndryshime janë të domosdoshme duke pasur parasysh situatën e krijuar në drejtësinë shqiptare.

“Zgjedhja e një presidenti të njëanshëm e ka bërë më të fortë bindjen tonë se drejtësia në Shqipëri do degradojë edhe më keq”, theksoi Rama.

Rama fajësoi kryeministrin Berisha për bllokimin e marrjes së statusit kandidat dhe për rrezikun që ekziston që Shqipëria të rrezikojë sërish dështimin.

“Këngë e vjetër kjo e opozitës bllokuese. Se ka njëfarë progresi me integrimin, ky është progres në letër, që ka të bëjë vetëm me ato pjesë të rekomandimeve ku opozita ka pasur një rol”, u shpreh Rama.

Në fund Rama iu drejtua me akuza të qarta mazhorancës qeverisëse. “Sot problemi i Shqipërisë nuk janë sipërmarrësit e zgjedhur deputetë në opozitë, por kryeministri dhe ministrat që janë bërë sipërmarrës në pushtet. Kanë vjedhur në shtatë vjet sa ç’mund të jetë vjedhur në historinë 100-vjeçare të shtetit shqiptar”, shtoi Rama.

Top Channel