Konsumatorët të rrezikuar nga mishi

22/07/2012 00:00

Therja e viçave dhe  qingjave  për mish në ambiente të papërshtatshme është rrezik që kanos kryeqytetin për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme.

Drejtori i Shëndetit Publik Mëhill Gecaj thotë se shumë prej kafshëve theren pa respektuar asnjë kriter, si vizitën tek veterineri apo lënien pa ushqim 24 orë para therjes së kafshës.

Ndërkohë që shumë nga tregtarët në kundërshtim me rregullat higjeno-sanitare i therin ato në oborret e brendshme të shtepive, pa llogaritur ato që theren në rrugë në periferi.

“Rreziku tjetër potencial, në moment që këto theren produktet që ngelin, gjaku, të brendshmet dhe mbeturina të tjera, të cilat nuk dihet ku hidhen. Kanë kanalizime, s’kanë kanalizimi? Kanë ujë, s’kanë ujë? Ky është problemi. E para punës, duhet të jenë të veshura me pllaka majolike, duhet të ketë ujë të bollshëm, duhet të jënë me ajrosje, të disinfektuara, sepse vetë mishi dhe nënproduktet e tij janë potencial për ngarkesa të menjëhershme bakteriale dhe pastaj për sëmundshmëri. Në ato raste që ne konstatojmë është ndërhyrë dhe është bërë jo vetëm pezullimi i aktivitetit, por është shumë e vështirë nga ana jonë për t’i evidentuar se ku janë”, thotë kreu i DSHP-së.

Gecaj thotë se një tjetër problem mbetet edhe tregu i gjësë së gjallë në Kodër-Kamëz.

“Problemi tjetër është tregu i gjësë së gjallë që është një treg jashtë të gjitha standardeve dhe kushteve higjeno-sanitare i cili ofron shërbim për Tiranën tek ura e Kodër-Kamzës, për të cilën Inspektoriati i Shëndeti ka bërë gati mbylljen përfundimtare për këtë pjesë. Janë disa dyqane mishi, rreth këtij tregu që janë jashtë kushteve higjeno-sanitare. Për 7 prej tyre është bërë mbyllja përfundimtare, për 7 të tjera vendim me gjobë”, deklaron zoti Gecaj.

Drejtori i Shendetit Publik kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të bashkisë për të pikasur pikat ku theret dhe tregtohet mish pa  respektuar kriteret higjeno-sanitare dhe ndëshkimin e tyre.  

Top Channel