Bolt “fluturon” në Londër

06/08/2012 00:00

Usain Bolt fitoi medaljen e artë në garën e 100 metrave në kuadër të lojërave olimpike “Londër 2012”.

Xhamajkani mbrojti titullin e fituar në Pekin para katër vitesh me kohën 9.63 sekonda, i cili ishte një rekord i ri olimpik.
 
Bolt, i cili mban edhe rekordin botëror në këtë disiplinë, u bë sprinteri i parë që e mbron medaljen e artë olimpike që kur amerikani Karl Ljuis e fitoi për të dytën herë radhazi në vitin 1988.

Vendin e dytë e zuri xhamajkani tjetër Johan Blejk, ndërsa medalja e bronxit i takoi amerikanit Xhastin Getlin.

Bolt: Dua të jem legjendë

“Ky është një hap tjetër drejt objektivit tim: dua të jem legjendë.”

Këto janë fjalët e Usain Bolt menjëherë pas fitores së medaljes së artë në garën e 100 metrave, në “Londër 2012”.

“Isha pak i shqetësuar për nisjen, por trajneri më thonte gjithmonë që të isha i qetë sepse në 50 metrat e fundit jam i pakapshëm. Jam ende njeriu më i shpejtë në botë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, theksoi xhamajkani.

Sprintieri zbuloi edhe menunë e ditës së finales: “Kam ngrënë banane dhe një sanduiç para garës. Sanduiçi sigurisht që ishte pa salsë. Ndërsa gjatë ditës kam ngrënë pilaf dhe mish pule.”

Top Channel