Imuniteti, Rama reagon në Twitter

06/08/2012 00:00

Kryetari i PS, Edi Rama ka reaguar në Twitter pas njoftimit të kryeministrit Berisha për mbajtjen e referendumit për heqjen e imunitetit.

Në mesazhin e postuar në rrjetin social, Rama fton shefin e qeverisë që të votohet për të gjitha ndryshimet kushtetuese dhe të shihet se cila palë, pozita apo opozita, do të ketë mbështetjen e popullit. Ja dhe mesazhi i Ramës:

“Referendum për Imunitetin? Gati ta pyesim popullin për gjithë paketën e ndryshimeve kushtetuese për drejtësinë, ky do ishte referendumi real!

Përderisa për imunitetin kemi rënë dakord e për ndryshimet e tjera Saliu fshihet, le t’i ballafaqojmë hapur me popullin vizionet e argumentat!

Si thua Sali? Nëse ke kurajo jo për t’u tallur me popullin, po për t’u ballafaquar me opozitën përpara popullit, eja bëjmë referendumin!

Kështu le t’ua lëmë shqiptarëve ta ndajnë a duhet ndryshuar në Kushtetutë vetëm pika e imunitetit, apo edhe propozimet e tjera të opozitës!”.

Rama është i mendimit se kufizimi i imunitetit është pjesë e një proçesi shumë më të gjerë, që ka të bëjë me reformën në drejtësi, që sipas tij mungon, për ta fuqizuar këtë sistem dhe për ta shkëputur nga kontrolli i partisë-shtet.

Në një intervistë për Top Channel, Rama u shpreh se, “këtu bëhet fjalë për të ndarë rrugën ku do shkojë Shqipëria, drejt uzurpimit të të gjitha pushteteve dhe pushtimit përfundimtar të sistemit të drejtësisë nga qeveria, apo drejt ndarjes së pushteteve”. “Ne jemi për të dytën. Ata që sot qeverisin Shqipërinë janë për të parën”, tha Rama. 

Top Channel