Epidemia e grabitjeve, flasin psikologët

08/08/2012 00:00

Epidemia e grabitjeve dhe akteve të dhunës në rrugë nga grupet e
adoleshentëve dhe të rinjve, sipas psikologëve tregojnë se shoqëria jonë
është tronditur nga themelet. Sipas tyre, kjo është krizë e shtetit,
mosfunksionimit të institucioneve të tij, krizë e familjes, shkollës dhe
shoqërisë në tërësi.

“Po të vini re edhe ata fëmijë që shfaqen me një agresivitet të tepruar, duke sulmuar edhe bashkëmoshatarët e tyre, por edhe më të rritur për të mbijetuar, i mungon besimi, e kanë të dëmtuar besimin. Kjo për shkak të një neglizhimi afatgjatë, qoftë nga familja, qoftë nga institucionet përgjegjëse. Nga ana tjetër i vihet shumë theksi identifikimit të vlerësimit të nevojave të familjes, të nevojave primare të këtij fëmije dhe marrjes përsipër të një programi korrektimi, që e përmirëson situatën e këtyre të rinjve dhe i ekspozon ata në marrëdhënie me disa oferta të reja. Këtu te ne nuk ka as sistem mbrojtje, as shërbimesh, as korrektimi”, thotë Belioza Coku, psikologe.

Nje pjese e ketyre adoleshenteve kane migruar nga zonat rurale drejt qyteteve dhe përballen me ndryshime të mëdha, brenda grupeve të tyre.

“Çfarë kanë marrë nga familja, e aplikojnë edhe në marrëdhënie me të tjerët, sidomos me bashkëmoshatarët. Karakteristika e adoleshentëve janë pjesë e presionit të grupit, identitetin e tyre e zhvillojnë si pjesë e grupit. Për këtë arsye krijohet edhe presioni i grupit, që ata imitojnë njëri-tjetrin në grupe, sepse kështu ndihen më të sigurt dhe nga ana tjetër marrin kohë mjaftueshëm që të ndërtojnë kufijtë e një individualiteti të tyre, duke u shkëputur nga familja. Adoleshenca shoqërohet edhe me fenomenin e bulizmit, ku rritet agresiviteti, sulmojnë njëri-tjetri dhe herë pas herë agresohen edhe me të rriturit që janë përreth tyre”, tha Coku.

Nje pjese e madhe e adoleshenteve dhe paraadoleshenteve përdorin marijuane, alkool dhe shfaqin shenja depresioni. Numri i tyre është në rritje, ndaj kërkohet një kontroll më i fortë në familje dhe në shkollë.

“Alkooli, tek nën 12-vjeçarët, kemi vërejtur në studimin e fundit se 29 për qind e tyre eksperimentojnë, ndërkohë që shifra më parë ka qenë 19 për qind, pra rritja është shumë domethënëse. Gjithashtu, lidhur me eksperimentimin e marijuanës tek të rinjtë, kemi 17.5 për qind shifrën e fundit, ndërkohë që kjo shifër ka qenë 5.4 për qind.Mbetet pothuajse e qëndrueshmë shifra e ofrimit të drogave në mjediset e shkollës, rreth 8 për qind”, thotë Alban Ylli, ekspert në ISHP.

Adoleshentet e kalojne pjesen me te madhe te kohes duke qendruar brenda nje grupi, ku me i forti percakton rregullat. Jane te paktë ata qe merren me aktivitete te ndryshme, ndërsa pjesa derrmuese janë jashtë kontrollit, si te familjes ashtu edhe shkolles.

“Kemi arsye të besojmë, se kjo duhet të ketë ardhur si pasojë e një urbanizimi të shpejtë, e një aksesi më të madh ndaj disa produkteve me risk. Mund të ketë lidhje kjo edhe me një përpjekje të të imituarit të stilit perëndimor të jetesës”, thotë Ylli.

Spahiu: Burgim përjetë për vrasësit

Duke folur në një tryezë të Aleancës Kuqezi për të drejtat e njeriut, kryetari i saj Kreshnik Spahiu iu referua krimit në rritje kundër jetës së njeriut dhe deklaroi se Aleanca Kuqezi do të aplikojë masa të forta për të ulur kriminalitetin, duke aplikuar dënime taksative për autorët e vrasjeve.

“Ne, së bashku me ekspertët dhe juristët të ketë një plan të qartë dhe prioritet të prioriteteve një strategji e ardhshme për mbrojtjen e jetës së njeriut, e cila duhet të fillojë në një program të veçantë për çarmatosjen e popullsisë dhe miratimin e një legjislacioni përkatës për përdorimin e armëve të zjarrit. Duhet të ketë ndryshime radikale në Kodin Penal, duke iu përshtatur realitetit shqiptar dhe në përgatitjen e ashpërsimit të politikave penale për të hequr dënime alternative minimale dhe maksimale për krimin e vrasjeve duke ashpërsuar dhe unifikuar, atë në vetëm të dënimin me burgim të përjetshëm”, tha Spahiu.

Sipas tij, duhen hapur burgje të veçanta për subjektet, të cilat kanë kryer vepra penale të vrasjes, duke filluar ndoshta edhe nga burgu i Burrelit apo i Spaçit, dhe duke i shndërruar ato nga burgje të ndëshkimit politik, në burgje ku të vuajnë përjetë vrasësit dhe ata që kryejnë krime kundër jetës dhe që përbëjnë rrezikshmëri të lartë për shoqërinë.

“Një nga çështjet e tjera duhet të jetë sekuestrimi i pasurisë së subjekteve vrasësi dhe dëmshpërblimi i familjeve të viktimave që kanë humbur të afërmit e tyre. Ndëshkim duhet të jetë maksimal, jo vetëm moral, jo vetëm ligjor, por edhe ekonomik. Duhet patjetër të garantohet e drejta e mbrojtjes me ligj nëpërmjet avokatisë të familjarëve të viktimave, në të gjitha fazat e hetimit dhe e gjykimit penal”, tha Spahiu.

 

Top Channel