“Barrikada mbi urën kryesore të lumit Ibër është një simbol i fuqishëm politik dhe simbole të tilla nuk është e arsyeshme të largohen me forcë”.

Kështu ka deklaruar të enjten komandanti i misionit të NATO-s, gjenerali Erhard Drews, gjatë një vizite në Mitrovicë ku është takuar me autoritetet lokale.

Drews është shprehur se, logjika e atyre që e kanë vënë atë barrikadë nuk ndryshon edhe nëse ajo hiqet, përkundrazi mund të krijojë pasoja të kundërta, ndaj nevojiten veprime të arsyeshme.

“Më duket e turpshme barrikada mbi urën kryesore mbi lumin Ibër, sepse simbolizon ndarjen e një qyteti, i cili në të vërtetë nuk është i ndarë”, ka deklaruar Drews.

Sipas raportimeve të “RTK”, oficeri i lartë nuk dhënë detaje për strategjinë taktike të KFOR-it rreth çështjes së barrikadave, por ka thënë se ato duhet të largohen sa më shpejt.

Ndërsa përsa i takon dialogut Prishtinë-Beograd, ai ka vlerësuar se palët duhet të implementojnë paktet e nënshkruara deri tani në Bruksel, para se të arrijnë marrëveshje të reja.

Ndërsa kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati ka kërkuar largimin sa më parë të barrikadës në urën e Ibrit, pasi sipas tij ajo pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe krijon një imazh të keq për Mitrovicën.

“Ne e kemi parasysh kompleksitetin e situatës në veri, mirëpo strukturat e sigurisë, në radhë të parë KFOR-i, duhet të veprojnë dhe t’i largojnë ato”, ka deklaruar Kastrati.

Top Channel