Gjiri i Lalësit, tkurren pushuesit

12/08/2012 00:00

24 kilometra vijë bregdetare e mrekullueshme dhe një gji me plash ranor strukur mes pishave të gjelbërta. Ky është Gjiri i Lalësit, një nga bukuritë dhe vendet pushuese më të lakmuara, edhe pse i zbuluar së fundmi.

Pushuesit e duan këtë vend, jo vetëm për distancën e afërt që ka me Tiranën, por kryesisht për cilësitë e plazhit dhe qetësinë që të ofron ai.

“Nuk ka shumë njerëz, deti është i pastër. Është i pastër dhe plazhi është i bukur”, shprehen pushuesit.

I konsideruar një perlë nga pushuesit, ky plash i ri ka ende probleme për të garantuar pushime të mira. Sipas pushuesve, pastërtia është ajo që i mungon këtij plazhi.

Zona para pak vitesh është pajisur me një rrugë që të çon deri në skajin fundor të Gjirit të Lalësit, por shumë pak infrastrukturë i ofrohet pushuesit në këtë vend. Edhe ata vetë ankohen se ka mangësi shërbimesh.

“Do ishte shumë mirë që të kishte sa më shumë shtëpi të vogla turistike ku të sistemoheshim”, shprehet një pushuese.

Gjiri i Lalësit fatmirësisht nuk është prekur nga vrulli i ndërtimeve prej betoni dhe hapësira ranore është pothuajse e virgjër, përveç lokaleve që janë ndërtuar me dru. Megjithatë në 24 kilometra vijë bregdetare pushuesve u është lënë shumë pak hapësirë e lirë ku mund të vënë çadrën e tyre.

Janë vetëm tre plazhe publike dhe sipas pushuesve këto plazhe kanë hapësira shumë të cunguara.

Edhe pse në këto plazhe gjithë sipërfaqja e rërës është e mbushur me shezlonge, në vijën e dytë të bregut situata është ndryshe. Baret dhe lokalet që ushtrojnë aktivitetin e tyre sezonal ankohen se sivjet ka rënë shumë fluksi i punës.

“Ka pushues, por nuk shpenzojnë para’. Të gjithë i marrin gjërat me vete. Në krahasim me vitet e tjera fitimet janë përgjysmuar”, shprehen biznesmenët.

Natyra e këtij plazhi ka shumë për tu ofruar turistëve. Një panoramë e rrallë nga skaji në skaj, me gjire e skuta ekzotike dhe një breg që gjithkush do ta kishte zili, por perfeksionit të natyrës dora e njeriut nuk ka mundur t’i shkojë për shtat.

 

Top Channel