Koha për të shpëtuar shtetin nga dështimi

17/08/2012 00:00

GJERGJ EREBARA – Shumë fakte shqetësuese janë grumbulluar gjatë viteve
të fundit që më bëjnë të kem frikë se shteti shqiptar po merr
karakteristikat e një shteti të dështuar të ngjashëm me Somalinë e të
tjera.

Shqipëria është bërë strehë për kriminelët e kërkuar nga vendet e tjera, forcat policore nuk kanë vullnet dhe kapacitet për të vendosur kushtet më minimale të sigurisë së jetës në rrugë, qeveria nuk është në gjendje të zbatojë as ligjet më themelore, bankat ankohen se gjykatat nuk zbatojnë kontratat e huamarrjes, fshatarët krijojnë grupe të armatosura patrullimi për të mbrojtur pronat e veta. Besueshmëria e institucioneve është në nivelin më të ulët të mundshëm. Nuk ka pothuajse asnjë institucion shtetëror për të cilin mund të thuhet se po funksionon në bazë të ligjeve apo të zakoneve të mira. Instituti i Statistikave nuk është në gjendje tashmë prej muajsh të raportojë statistikat e lindjeve dhe vdekjeve. Mbajtja shënim e lindjeve dhe vdekjeve është thelbi i çdo shteti dhe ky kapacitet duket se është shpërbërë në Shqipërinë e 100-vjetorit të pavarësisë.

Akte lufte që nuk funksionojnë

Qeveria ndërmori dy akte normative javën e kaluar. I pari kishte të bënte me faktin se një lokal afër shtëpisë së Kryeministrit mbante muzikë të lartë përgjatë të gjithë natës. Shqipëria ka pasur kod civil që nga koha e tanzimatit ku përcaktohen kushtet e fqinjësisë së mirë. Kodi thotë mes të tjerash se je i detyruar të mos e shqetësosh fqinjin me tym, zhurmë apo cenim pronësie, përfshirë edhe pemë që mund t’i mbjellësh në shtëpinë tënde ndërsa degët dalin te oborri i komshiut. Sanksionohet detyrimi për të mbledhur ujërat tokësore apo ato të shiut dhe për të mos lejuar që ulluku yt të pikojë te oborri i komshiut. Të gjitha këto nuk mjaftuan për të garantuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, gjë që është elementare për mirëfunksionimin e një shoqërie. Kryeministri vendosi kështu të ndërmarrë një akt normativ. Është një instrument kushtetues që është dizajnuar për t’u përdorur në raste urgjence. Kur qeveria miraton akt normativ, merr fuqi më të mëdha sesa Parlamenti, pra merr fuqi diktatoriale. Këto fuqi diktatoriale duhet logjikisht të përdoren vetëm në raste ekstreme, kur ka shpërthyer ndonjë luftë me fqinjin apo kur ka rënë ndonjë tërmet.

Normalisht çdo polic turni duhet të mjaftojë për të disiplinuar një komshi të pasjellshëm. Por policët nuk ekzistojnë në Shqipëri nga pikëpamja praktike dhe Kryeministri shkon të bëjë policin në vend që të bëjë punëdhënësin e policit. Këto ditë po qarkullojnë thashetheme se vetë Berisha ka shkuar të mbyllë muzikën e lartë në një lokal në Dhërmi duke bërë funksionin e policit. Thjesht ekzistenca e kësaj thashethemnaje është shqetësuese. Ngjan se Kryeministri nuk ka fuqi as të urdhërojë një polic. Në fakt, pamundësia për të kontrolluar nivelin e muzikës së lokaleve në qytet, është si të thuash: kaosi që vetë qeveritarët kanë krijuar dhe që tashmë i jep një çokë të lehtë. Në Bllokun e Tiranës, ku shumica e shqetësimit për muzikën e lartë është krijuar, ka me dhjetëra pallate të ndërtuara pa leje, mbi toka të vjedhura apo pa ruajtur distancat urbane. Vetë Kryeministri banon pak më tutje në një pallat të ndërtuar jashtë kushteve urbanistike, pa ruajtur distancë me fqinjët e vet. Ky është kaosi për të cilin vetë Kryeministri ka ndihmuar me bollëk e vështirë se mund t’i quajë “barbarë” pronarët e lokaleve për muzikën e lartë, pa quajtur edhe veten e vet.

Një nga kriteret bazë për klasifikimin e një shteti si të dështuar është: “Humbja e kontrollit mbi territorin apo humbja e monopolit për përdorimin e ligjshëm të dhunës fizike”.

Është shumë e rëndësishme. Askush nuk ka të drejtë ligjore të përdorë dhunë me përjashtim të shtetit. Shteti, kur humbet ligjshmërinë përballë qytetarëve, nuk është në gjendje të urdhërojë ushtrimin e dhunës dhe në këtë çast pushon së ekzistuari si shtet. Zhurmat janë elementi më i padëmshëm i humbjes së monopolit të shtetit për të ushtruar dhunë. Aksidentet e tmerrshme që po vrasin qytetarët ndërsa këta të fundit ecin mbi trotuar, mungesa masive e rendit publik, krimi i rrugës apo numri i pafundmë i vrasjeve mafioze të mbetura të pazbardhura janë pjesa tjetër. Mungesa e sigurisë së pronës që cenohet nga grabitja e drejtpërdrejtë apo nga ndërtimet pa leje apo me leje jashtë kushteve urbane e praktikës së fqinjësisë së mirë është një tregues tjetër.

Parajsë për krimin

Një shtet konsiderohet gjithashtu i dështuar kur nuk është në gjendje të përmbushë detyrimet që i rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare. Shqipëria ka një detyrim ndaj Italisë të kapë dhe të ekstradojë kriminelë të dënuar me vendim të formës së prerë nga autoritetet italiane. Gjatë muajve të fundit, në dy raste të tilla, shteti shqiptar ka dështuar në plotësimin e këtij detyrimi sepse gjykatat kanë vendosur mosekstradimin. Disa dhjetëra urdhërarreste të tjera italiane presin të zbatohen dhe nuk zbatohen për shkak të infiltrimit të forcave të sigurisë nga elementë kriminalë.

Zbatimi i kontratave

Gazetarët e ekonomisë këto kohë kanë hasur ngjarje të pazakonshme. Bankierë të rëndësishëm në vend ulërasin nëpër zyra, salla konferencash apo rrugë për shkak se gjykatat nuk lejojnë zbatimin e thjeshtë të kontratave të kredive të falimentuara. “E kemi litarin në grykë”, tha në konfidencialitet njëri prej tyre. Kjo ka marrë përmasa sistemike. Mbi 150 milionë euro prona kolateral kanë mbetur të konfiskuara dhe të palikuiduara për shkak se një trupë prej 300 shqiptarësh që kanë postet e gjykatësve nuk njohin limit mbi shkeljen e ligjit që mundet ta bëjnë pa u ndëshkuar dhe shkeljet për të cilat nuk i shpëtojnë dot ndëshkimit. Kur një shtet nuk imponon dot zbatimin e kontratave sipërmarrëse, qytetarët i kanë të gjitha të drejtat të shkelin monopolin e shtetit për të përdorur dhunë, duke e përdorur vetë dhunën. Natyrisht këto janë tipare të shoqërisë primitive. Kur nuk ke mundësi të bësh kontrata sipërmarrjeje nuk ke mundësi të ndërtosh një shoqëri të zhvilluar. Shkolla historike gjermane thotë se një vend kalon në tri faza zhvillimi: Ekonomia e shkëmbimit mall me mall, ekonomia e parasë dhe ekonomia e kreditit. Duke lënë mënjanë debatin shkencor mbi faktin nëse teoritë e fazave historike janë të sakta apo jo, na duhet të themi se pa zbatim të rregullt të kontratave të huamarrjes nga gjykatat, Shqipëria është e dënuar të mbesë në fazën e ekonomisë së parasë. Kur një bankier vëren se 10 për qind e kredive të dhëna nuk kthehen dhe kolateralet e tyre janë të pavlefshme, atëherë interesat e kredive që jepen fillojnë nga 10 apo 15 për qind. Në këtë pikë, krediti nuk shërben më si mjet për të financuar investime, pasi ndërtimi i fabrikave nuk ka norma fitimi të mjaftueshme për të paguar interesa kaq të larta për kapitalin.

Kriminalizimi i shtetit

Shqipëria tashmë ka hyrë në një fazë ku segmente të rëndësishme të zbatimit të ligjit funksionojnë si banda gjobëvënësish. Policia rrugore, policia ndërtimore, zjarrfikësit, zyrat e panumërta të kontrollit të sigurisë së mallrave të konsumit apo vetë sistemi i drejtësisë po funksionojnë si organizata kriminale, në disa raste të strukturuara dhe në disa të tjera të pastrukturuara. Kjo lloj qeverisjeje ka tiparet e shteteve mesjetare, jo të shteteve moderne. Funksionarët e shtetit janë të emëruar në këtë rast nga princi, duka apo beu dhe janë pajisur me fuqinë për të grabitur popullatën pa u ndëshkuar. Kushti i vetëm që duhet të plotësojnë është që një llokmë të madhe të grabitjes t’ia dërgojnë princit, i cili i përdor këto para për të mbajtur kapacitetet e nevojshme për të ushtruar dhunë mbi popullatën kur kjo e fundit i përgjigjet me armë kërkesës së taksidarëve apo qehajajve për të dorëzuar në këmbim të asgjëje një pjesë të pasurisë së vet. Dhe pikërisht ky është shteti në të cilin ne po jetojmë sot. Policia rrugore krijon një tra dogane në territorin përkatës ku i kanë dhënë leje të grabisin kalimtarët, policia ndërtimore është kthyer në strukturë që grabit çdokënd që ka ndër mend të ndërtojë, kontrolluesit e peshave gjobisin çdokënd që ka një peshore. Gjykatësit gjobisin çdokënd që i del përpara.

Zyrtarët e Gjendjeve Civile, të cilat kanë funksionuar relativisht mirë që nga viti 1929 (me disa ndërprerje të shkurtra më 1945 dhe 1990), nuk denjojnë të raportojnë numrin e lindjeve dhe vdekjeve, sepse janë të zënë me sistemin e grabitjes.

Shtetet e dështuara zakonisht gjenden mes konfliktesh ndërkombëtare, (janë zona të nxehta të luftërave të ftohta), gjë që i zhyt shpesh në trazira civile, luftë civile apo sundim nga bandat e armatosura. Për fatin e mirë të shqiptarëve, gjatë dekadës së fundit Shqipëria nuk gjendet më në një zonë të tillë konflikti e kjo gjë na ka shpëtuar nga të ashtuquajturat luftëra civile. Por nëse batërdia e vrasjeve dhe aksidenteve rrugore vijon të vrasë nga dy, tri apo pesë vetë në ditë, siç ka ndodhur gjatë javëve të fundit, situata nuk mund të konsiderohet shumë e ndryshme.

Veçanërisht dy hallka të rëndësishme të të ashtuquajturit Shteti Shqiptar nuk po funksionojnë: Gjykatat dhe Policia. Struktura të tjera ngjajnë se po funksionojnë pak më mirë, por sërish ngjan se janë të rrezikuara përditë nga gangsterizimi i përgjithshëm i shtetit.

Këto janë fakte të mjaftueshme për të ngritur alarmin. Shteti shqiptar po rrëzohet, është koha për të punuar për ta mbajtur në këmbë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel