Pendohet Finlanda: 100 për qind pro euros

17/08/2012 00:00

Ministri finlandez i Çështjeve Evropiane, Alexander Stubb ka deklaruar se Finlanda është 100 për qind e angazhuar në mbështetje të euros.

Deklarata e tij ka ardhur, pasi ministri i Jashtëm Erkki Tuomioja deklaroi se zyrtarët finlandezë janë përgatitur për një falimentim të mundshëm të valutës.

“Dua të sqaroj se hipoteza e ministrit të Jashtëm nuk reflekton pozicionin e qeverisë. Pozicioni i Helsinkit është i qartë, ne jemi me evropianët për përmirësimin e situatës në zonën euro”, ka deklaruar Stubb.

Ministri i Jashtëm Tuomioja, anëtar i Partisë Socialdemokrate, në një intervistë për “Daily Telegraph” kishte deklaruar se Finlanda po bëhej gati për një shkrirje të mundshme të eurozonës.

“Duhet të përballemi hapur me mundësinë e një falimentimi të euros. Është diçka që askush, as finlandezët, urojnë. Por duhet të jemi gati”, kishte thënë Tuomioja.

“Funksionarët tanë, si kushdo tjetër, kanë një plan operativ për çdo situatë”, ishte shprehur shefi i diplomacisë finlandeze për të përditshmen britanike.

Ndaj deklaratës së Tuomioja ka reaguar edhe Komisioni Evropian, që ka deklaruar se nuk ka asnjë plan për ndarjen e eurozonës apo për përjashtimin e Greqisë.

“Nëse të tjerë duan të përgatiten për skenarë të tjerë, detyra jonë është të punojmë për të ruajtur integritetin e eurozonës”, ka deklaruar zëdhënësi Oliver Bailly.

Top Channel